Që prej orëve të para të mëngjesit të së enjtes, studentët e Fakultetit Juridik dhe Ekonomik në Universitetin e Tiranës janë “ngujuar” në auditorë dhe në shenjë përshkallëzimi të protestës së tyre kanë bërë të ditur për mediat se do të vijojnë të qëndrojnë aty deri të dielën, ditën kur pritet të zhvillohet një protestë mbarëkombëtare në mbështetje të tyre.

Gjatë ditës në këto dy fakultete u bllokua holli dhe dera e jashtme, ndërsa studentët kërkojnë shtyrjen e sezonit të provimeve për të përsëritur të gjitha orët e humbura si pasojë e protestave.

Shumë studentë kanë hyrë nga dritarja dhe janë futur brenda në këto dy fakultete gjatë pasdites, duke bllokuar më pas me karrige të gjitha dyert e sallave të leksioneve dhe seminareve.

Në ambientet e jashtme të Juridikut dhe Ekonomikut ka pasur edhe përplasje me policinë, pasi forcat e rendit kanë tentuar të ndalojnë dhjetëra të rinj që t’u bashkohen bashkëmoshatarëve të tyre.

Në total numri i studentëve të ngujuar te Fakulteti i Juridikut shkon në 200, me të rinjtë që kanë thënë për mediat se presin ndihma ushqimore nga qytetarë të ndryshëm, ndërsa aktin e tyre nuk e konsiderojnë një grevë urie.

“Do vazhdojmë protestën edhe në orët në vijim. Duhet të shtyhet sezoni dhe të gjitha orët e humbura duhet të përsëriten. Protesta ka dhënë prova të qarta për rezistencë. Çdo pagesë të bëhet sipas shtresës ekonomike”, u shpreh një student i “Juridikut” për mediat.

Ndërkohë në mbrëmje, te Fakulteti i Ekonomisë u ndërpre energjia elektrike dhe sipas studentëve ky ishte një akt i qëllimshëm i OSHE-së për të ndalur rezistencën e tyre, pasi energjia mungonte vetëm në këtë ndërtesë dhe jo në ndërtesat e tjera përreth.

Pavarësisht kësaj, studentët e Ekonomikut e zhvilluan takimin e tyre nën dritën e qirinjve dhe në fund dhanë një deklaratë për mediat, duke thënë se kanë vendosur të nisin ngujimin në fakultet.

“Pas shumë mbledhjeve të organizuara, ne si studentë të Fakultetit të Ekonomisë sot fillojmë ngujimin. Kjo është vendosur dhe ne kërkojmë që të bashkohen edhe universitetet e tjera. Ne kemi vendosur të qëndrojmë ditën dhe natën të ngujuar”, deklaroi një student.

Ata gjithashtu u bënë thirrje të gjithë studentëve nga çdo fakultet që të bashkohen me nismën e tyre.

“Kjo formë nuk është kundër pedagogëve tanë. Qëllimi jonë është plotësimi i atyre tetë pikave. Gjithashtu presim mbështetje nga të gjitha fakultete të tjera me qëllim që kauza jonë të plotësohet sa më shpejt. Të përgjysmohen tarifat edhe për masterin”, tha një tjetër studente e Ekonomikut.

Ndërkohë në sallën paralele të “ngujimit”, studentët kanë përpiluar një listë kërkesash për dekanin e Fakultetit të Drejtësisë në UT.

KËRKESAT:

– Shtyrja e sezonit dhe procesit mësimor deri në dhënien e një përgjigje përfundimtare

– Shtyrja e afatit të pagimit të tarifave dhe shtyrja e procedurave për marrjen e bursave deri në dhënien e një përgjigje përfundimtare

– Nisja e një plan-veprimi nga dekanati, për plotësimin e kërkesave që varen drejtpërdrejt nga ai

– Mospenalizimi i studentëve apo marrja e masave ndaj tyre, deri në përfundimin e bojkotit.