Një burrë në Republikën Çeke është kafshuar nga një luan që e mbante të mbyllur në kafaz në oborrin e tij dhe e ka humbur jetën. Rasti ka ndodhur në pjesën lindore të këtij shteti.

Personi i quajtur Michal Prasek e mbante një luan 9-vjeçar dhe një luaneshë me qëllim që ta shtojë numrin e këtyre kafshëve, ndonëse banorët që jetonin afër shtëpisë së tij ishin shprehur disa herë të shqetësuar.

Trupin e viktimës e ka gjetur babai i tij. Ai ka thënë se trupi i djalit të tij ndodhej brenda kafazit të luanit, i cili ishte i mbyllur nga brenda.

Luani dhe luanesha janë qëlluar me armë zjarri nga forcat policore. Një zëdhënës i policisë ka deklaruar për mediet lokale se vrasja e tyre ka qenë e domosdoshme për ta nxjerrë nga kafazi trupin e burrit të vdekur.

Prasek, 34-vjeçar, e kishte blerë këtë luan në vitin 2016 dhe luaneshën vitin e kaluar. Ai i mbante këto kafshë në një kafaz që e kishte ndërtuar vetë në oborrrin e tij në fshatin Zdechov, shkruan “BBC”.