Fondacioni “Bill Gates” konsiderohet fondacioni më i madh humanitar në botë, kurse si këshilltar në selinë e këtij fondacioni në Bruksel është ia angazhuar Arben Fetahu, me prejardhje nga Slluçani i rrethit të Kumanovës, shkruan gazeta Lajm. Përpos si këshilltar në këtë fondacion prestigjioz, Arbeni është i angazhuar edhe në politikë. Ai është ndër politikanët e rrallë që është i angazhuar në tri parti të ndryshme dhe në tre vende të ndryshme evropiane. Në Belgjikë është në radhët e Partisë Socialiste, në Kosovë te Partia Social Demokrate, kurse në Maqedoni në Aleancën për shqiptarët. Lajm.tv ka zhvilluar një intervistë me Arbenin në zyrën e tij në Bruksel, në të cilën gjerë e gjatë ka folur si për karrierën e vetë profesionale, poashtu edhe për angazhimet politike.
“Unë faktikisht jam rritur në Belgjikë, studimet i kam kryer këtu. Pas përfundimit të studimeve kam punuar në Kosovë për 5 vite me UNDP dhe me Komisionin Evropian. Në vitin 2009 u ktheva në Bruksel dhe kam punuar në Komisionimn Evropian dhe Parlamentin evropian. Ka disa vite, që jam këtu në fondacionin “Bill Gejts”. Si këshilltar për çështje evropiane dhe zhvillim ndërkombëtar, ku kryesisht merremi në politikat e BE-së, me fokus në politikën shëndetësore. Atë e kam si portofolio timin dhe punoj në disa borde të agjencive botërore për shëndetësi në Gjenevë. Pastaj kemi edhe një komponentë programatike ku përkrahim programe të ndryshme në botë, kryesisht në Afrikë, Azi, Amerikë Latine dhe Evropën lindore. Punoj në disa borde botërore për shëndetësi në Gjenevë”, thotë ai në intervistën për Lajm.tv dhe Gazetën Lajm.
Gjatë kohës sa ka punuar në Kosovë, Arbeni ka pasur kontakte të vazhdueshme me shumë politikanë në Prishtinë. Pas kthimit në Bruksel ka vendosur të angazhohet në radhët e Lëvizjes Vetëvendosja. Në radhët e Aleancës për Shqiptarët është angazhuar pas ngjarjeve të 27 prillit.
“Kam qenë kryetar i një dege të Lëvizjes Vetëvendosje dhe anëtar i Këshillit të përgjithshëm. Pas ndarjes së VV-së kam vazhduar të bashkëpunoj me Partinë Social Demokrate të Kosovës dhe vazhdoj të bashkëpunoj ngushtë me ta prej nga Brukseli, drejtpërdrejtë me kryetarin Shpend Ahmeti. Edhe në Maqedoni jan aktiv me Aleancën për Shqiptarët, tani një vit e ca”, thekson Fetahu për Gazetën Lajm dhe Lajm.Tv.
Duke bë krahasime mes politikës në Ballkan dhe në Evropën Perëndimore, Arben Fetahu thotë se në Belgjikë ka shumë probleme që ngjasojnë plotësisht me problemet në Maqedoni. Por ato tejkalohen, falë mekanizmave demokratike që janë vendosur, e që duhet të vendosen edhe tek ne.
Edhe pse vazhdimisht me angazhime intensive në shumë shtete dhe në pesë kontinente të botës, Arbeni i jep prioritet aktiviteteve të veta në favor të lobit shqiptar në Bruksel. Ai poashtu është urë lidhëse mes partive politike që përfaqëson dhe institucioneve në Bruksel, por gjatë tërë kohës është edhe në disponim të zyrtarëve tjerë shqiptarë që vizitojnë Brukselin, si dhe mediumeve e gazetarëve që vijnë nga Shqipëria, Kosova e Maqedonia./Gazeta Lajm&Lajm.tv