Fazile Ademi mban poste të larta në Swisscom. Por kjo nuk e ka penguar të shprehë përkushtimin e saj për çdo gjë shqiptare. Ajo i ndjek ndeshjet e Kombëtares Shqiptare me veshjet përkatëse
E Martë, 29 Janar 2019 – 16:30Alban Hamza

Në prag të festave të fundvitit kudo në Zvicër ndodh që nëpër ambiente të punës të shtrohen tavolina me ushqim e pije për të festuar. Edhe në zyrat e Swisscom-it në Liebefeld të Bernës ishte shtruar po ashtu një tavolinë e tillë, por për dallim nga të tjerat, kjo tavolinë kishte djathë sharri, suxhuk nga Prizreni, zarzavate të ndryshme si dhe verë nga Kosova. Festat e fundvitit nuk ishin arsyeja kryesore për këtë tavolinë, por ishte edhe 20-vjetori i punës së saj në Swisscom. Fazile Ademi ishte „organizatorja“ e këtyre ushqimeve.

Edhe pse e lindur në Zvicër, e duke qenë se atëherë numri i të huajve ishte jo shumë i madh, qysh në fillim kishin filluar paragjykimet ndaj saj si „e huaj“.
Pas shkollimit të obligueshëm fillor në Sursee të Luzernit, Fazilja interesohet për të ndjekur shkollimin profesional për “Kauffrau”. Edhe pse në mesin e 50 kandidatëve, kishte arritur rezultatet më të mira në teste, ajo nuk pranohet nga punëdhënësi, për shkak të përkatësisë së saj fetare që figuronte në dokumentet e aplikimit, përkundër faktit se ishte rritur në një familje liberale.

Por për Fazilen ky nuk ishte fundi i botës. Ajo fiton zanatin e saj diku tjetër dhe e kryen me sukses.
Tregon aftësi për menaxhim
Dëshira e saj ishte që të shëtiste nëpër botë, ajo ëndërronte të bëhej stjuardesë apo edhe udhëheqëse e udhëtimeve, por fati kishte rezervuar diç tjetër për të.
Pas disa aventurave nëpër kompani të ndryshme, në vitin 1998 punësohet në kompaninë zvicerane të Telekomunikacionit, “Swisscom” në Olten si agjente për përkujdesjen e klientëve. Duke parë aftësitë e saj në menaxhimin e punës, shpejt bie në sy tek ekspertët që vinin nga qendra në Bernë, të cilët e ftojnë të bashkohet në ekipin e tyre.

Falë përkushtimit, të cilin e kishte kultivuar qysh në fëmijëri, duke qenë se ishte fëmija më i madh në familjen 7 anëtarëshe, aftësitë e saj në menaxhim dhe në thjeshtësimin e detyrave, shtyn mbikëqyrësit e saj që ta promovojnë por edhe t`i japin mundësi të shumta shkollimi, të cilat ajo i shfrytëzon dhe i kryen me sukses.
Edhe pse nuk kishte fakultet të kryer, falë kurseve të shumta dhe certifikatave të ndryshme në IT Menaxhment dhe Strategji, udhëheqësi e të tjera, në vitin 2016 kryen Magjistraturën në Teknologji Informative-Analiste e Biznesit.

Ndërkohë promovimet e saj nuk kishin të ndalur. Më 2014 ajo merr kontratën e parë si një kuadër në Swisscom, e cila i mundëson që për dy vjet të bëhet udhëheqëse në Inxhiniering të Biznesit si dhe Menaxhim të kërkesave brenda Swisscom-it.
E prirur gjithmonë për gjëra të reja, ajo braktis pozitën që kishte, për t’iu bashkuar një projekti tjetër në zhvillim brenda kompanisë, duke pranuar kështu edhe degradimin e saj në pozitë. Por kjo nuk paraqiste problem për Fazilen.

Drejton ekipin prej 80 punëtorësh
Me angazhimin dhe me përkushtimin, e saj, shpejt nga një “Product Owner” arrin që të bëhet një “Release Train Engineer” (RTE) dhe “Agile Coach”, duke pasur nën komandë një numër të konsiderueshëm punëtorësh (80) në njërën ndër qendrat e Swisscom në Zvicër.
Por jo gjithçka ka qenë aq e lehtë sa duket. Duke qenë se ishte e lindur në Zvicër, pos për zviceranët, kishte shumë raste kur edhe nga vetë komuniteti shqiptar, apo edhe gjatë vizitave në Kosovë, konsiderohej si e huaj. Ishte në atë situatën „as mish as peshk“. Por zhvillimet e viteve 90-ta në Kosovë kishin bërë që të krijohet një lidhje më e fortë me vendlindjen.

Gjatë luftës në Kosovë, ishte paraqitur si vullnetare për tu kyqur në luftë në një pikë rekrutimi në Zvicër, por ishte refuzuar, për arsye të panjohura.
Gjatë pushimeve verore, Fazilja, në vend që të shfrytëzojë kohën për vizita familjare, ishte angazhuar në disa projekte të DEZA dhe Swisscontact në Kosovë. Përmes tyre tentohej krijimi i planprogrameve të reja në shkolla teknike, qëllimi i të cilave ishte mësimi sa më i mirë i punës me kompjuter.
Fazilja është kudo ku është Kombëtarja Shqiptare

Ndërsa për të dëshmuar edhe më tej dashurinë e saj per atdheun, në ndeshjen mes Shqipërisë dhe Zvicrës në Evropianin“France 2016”, fotoja e saj e bërë rastësisht nga një gazetar i albinfo.ch, kishte marrë vëmendje të madhe nga një numër i madh i mediave. Aty Fazilja paraqitej me veshje të Kombëtares së Shqipërisë, përderisa syzet i kishte me flamur zviceran, duke treguar dashurinë e saj për këto dy vende. Në ngjarje të tilla, ajo është gjithmonë e pranishme me simbole kombëtare.

Në punën që bën, është shqiptarja e vetme në ekipin e saj. Edhe pse në pakicë, asaj nuk i mungon krenaria. Shfrytëzon çdo rast për të promovuar produkte shqiptare apo duke ndërlidhur gjëra me Kosovë apo Shqipëri. Kanë qenë të shumta edhe rastet kur ka udhëtuar me grupe kolegësh nga kompania drejt viseve shqiptare, vetëm për t`ua prezantuar atyre bukuritë shqiptare.
Duke qenë se koha që i mbetet për familjen është shumë e shkurtër, vendos të ndërtojë shtëpi në Ulqin, duke i mundësuar vetes dhe familjarëve të saj që së paku një herë në vit t`i kalojnë ca kohë nga pushimet së bashku. Këto pushime për të mbeten ndër momentet më cilësore të vitit, sepse familja është e shenjtë për Fazilen.

Ishte paraqitur vullnetare për të luftuar në Kosovë
Gjatë luftës në Kosovë, ishte paraqitur si vullnetare për t’u kyçur në luftë në një pikë rekrutimi në Zvicër, por ishte refuzuar, për arsye të panjohura. Gjatë pushimeve verore, Fazilja, në vend që të shfrytëzojë kohën për vizita familjare, ishte angazhuar në disa projekte të DEZA dhe Swisscontact në Kosovë.

Loading...