Sipas Merriam Webster Dictionary, termi oligarki do të thotë “qeverisur nga të paktët” ose “një qeveri ku një grup i vogël personash ushtrojnë kontroll, kryesisht për qëllime vetjake”.

Shumica e regjimeve që qeverisin sot botën janë demokratike, që do të thotë që pushteti vjen nga populli, pra i përket shumicës. Në një artikull të postuar së fundmi, treguam se pavarësisht regjimit demokratik në SHBA, ka hapësira për të dyshuar nëse kemi demokraci “de-juro” dhe oligarki “de-facto” apo jo?

Si është situata në Rusi?

Rusia ka kohë që akuzohet si një super oligarki, me shumë persona që influencojnë qeverinë për të arritur interesat e tyre. Bilionerët rusë duket se janë të aftë të fitojnë dhe të mbajnë pasurinë e tyre vetëm përmes miratimit dhe mbështetjes së qeverisë.

Cilët janë oligarkët në Rusi?

Thomas Graham, drejtor i programit të studimeve Ruse në Yale, shprehet se Oligarkët janë biznesmenë të pasur rus të cilët kanë pushtet në Rusi. Sipas tij, pothuaj të gjithë biznesmenët e pasur në Rusi janë oligarkë sepse në Rusi ekziston një lidhje shumë e madhe mes pasurisë private dhe pushtetit publik.

Si fituan pushtet dhe u pasuruan oligarkët?

Graham tha se shumica e rusëve u bënë të pasur nga lidhjet me qeverinë dhe duke punuar për ta. Por, nuk ka qenë që në fillim kështu. Pas rënies së Bashkimit Sovietik, ekzistonte një stres i madh socio-ekonomik ndërkohë që instrumentat e shtetit po humbisnin fuqinë. Në atë kohë filloi dhe procesi i privatizimit.

Prej ndryshimit nga komunizëm në gjysmë kapitalizëm u fuqizuan oligarkët, që ishin një numër i vogël individësh të cilët përdorën pushtetin e tyre politik për të marrë kontrollin e aseteve të ndryshme private (naftën dhe gazin, industrinë e drurit dhe aluminit, si dhe industri të tjera të burimeve natyrore).

Në atë kohë oligarkët ishin të organizuar në grupe të vogla. Një grup i caktuar oligarkësh kishte një person që kontrollonte në një pozitë të lartë në qeveri, kishte influencë në media, në këtë mënyrë siguronte burimet e tij.

Disa prej oligarkëve më të shquar ishin Vladimir Gusinsky dhe Mikhail Khordorkovsky, të cilët ishin në atë kohë dy prej burrave më të pasur në Rusi, sidomos Khodorkovsky, i cili drejtonte kompaninë e naftës Yokus.

Në atë periudhë, oligarkët u pasuruan dhe fituan shumë pushtet, por Graham thotë se marrëdhënia e tyre me qeverinë filloi të ndryshojë kur në pushtet erdhi Presidenti Vladimir Putin.

Kush janë oligarkët tani?

Tani ekziston një grup oligarkësh të cilët janë më pak në numër se dikur por jo më pak të varur nga marrëdhëniet me qeverinë për sigurinë e pasurisë së tyre. Ata nuk kanë të njëjtin pushtet mbi qeverinë për shkak të pushtetit që Putin ka.

Tani në Rusi nuk mund të jesh një bilioner dhe të mos jesh oligark sepse duhet të kesh disa marrëdhënie me personat në pushtet për të mbajtur nën kontroll pasurinë.

A janë njësoj oligarkët në Rusi me oligarkët në SHBA?

Ka shumë bilionerë në SHBA të cilët kanë pushtet politik të paimagjinueshëm. Por nuk janë njësoj me oligarkët rusë. Diferenca në SHBA është se aty ka institucione, ka sistem gjyqësor të pavarur. Bilionerët influencojnë vendimmarrjen politike, por nuk kanë nevojë të kenë akses në pushtetin politik për të mbrojtur pronën. Madje, mund të jesh i pasur në SHBA dhe të mbetesh edhe pa pasur kontakte në qeveri. Kjo gjë ndryshon në Rusi, pasi çdo vendim që një biznes merr, duhet ta konsultojë fillimisht me kontaktet e tij në Kremlin, përndryshe qeveria mund të të heqë statusin e “oligarkut”.

Për këtë arsye shumë biznesmenë të pasur në Rusi vitet e fundit kanë investuar në perëndim, në vende ku pasuria e tyre mund të mbrohet nga ligji dhe statusi i tyre të jetë i sigurt.

Megjithatë shumica e aseteve të oligarkëve mbetet në Rusi, ndaj ata do të mbeten nën mëshirën e qeverisë.

Loading...