Ende pa u shpallur data për mbajtjen e zgjedhjeve presidenciale, opozita ka dalë me dyshimet për manipulimin e mundshëm të tyre, nëse paralelisht me presidencialet nuk mbahen edhe zgjedhjet e parakohshme parlamentare, shruan REL.

Kreu i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickovski ka thënë për mediat se në rast të mbajtjes edhe të zgjedhjeve parlamentare, do të ketë Qeveri teknike, ashtu siç parashihet me Ligjin për qeverinë, ku resorin e Punëve të Brendshme do ta udhëheqë opozita dhe me këtë do të pamundësojë keqpërdorimin e procesit zgjedhor. Se zgjedhjet mund të manipulohen, Mickovski ka përmendur referendumin, ku sipas tij, janë vjedhur ndërmjet 40 deri 50 mijë vota.

Nga partitë në pushtet këto pretendime i kanë quajtur tendencë të opozitës për mospranimin e presidentit të ri, që sipas tyre, do të jetë nga radhët e partive në pushtet.

Njohësit e çështjeve politike kanë qëndrime të ndryshme lidhur me pretendimet e opozitës. Disa thonë se argumentet e saj janë të qëndrueshme, e disa i shohin si alibi për skenarë të tjerë.

“Mendoj se nuk bëhet fjalë për ndonjë supozim apo ndonjë spekulim se në referendum (për Marrëveshjen për emrin) kishte mbushje të kutive. Ajo çfarë pamë në votimin e fundit nuk ka ndodhur në 20 vjetët e fundit. Bëhet fjalë për rreth 40 apo 50 mijë votues që kanë realizuar të drejtën e votës për një kohë shumë të shkurtër, që i bie se të drejtën e votimit e kanë realizuar për disa sekonda, diçka e paimagjinueshme. Këtu janë ato dilemat se kjo mund të përsëritet edhe në këto zgjedhje, andaj me të drejtë opozita ka ngritur shqetësimin”, thotë Vladimir Bozhinovski, njohës i çështjeve politike, i cili ka përjashtuar mundësinë e bojkotit të zgjedhjeve nga opozita, nëse hiqen dilemat për një mashtrim të mundshëm zgjedhor.

“Pse të bojkotohen zgjedhjet kur dihet fakti se duhet të zgjedhim president të ri. Unë me sa shoh zhvillimet në VMRO-DPMNE, ajo po përgatitet për zgjedhje, ka hapur konkursin për kandidatë të mundshëm për kreun e shtetit, e kështu me radhë. Zgjedhjet mbahen në dy rrethe zgjedhore, por nëse në të parin ndodh ajo që ndodhi në referendum, atëherë nuk mund të them asgjë se çfarë mund të ndodhë”, thotë Bozhinovski.

Por, ndryshe nga ai vlerëson Albert Musliu, drejtues i Asociacionit për Iniciativa Demokratike që merret me promovimin e vlerave demokratike, i cili thotë se qëndrimi i VMRO-së më tepër ka të bëjë me krijimin e ndonjë alibie në rast të humbjes së zgjedhjeve sesa mashtrime të mundshme zgjedhore.

“Mendoj se bëhet fjalë për krijimin e një alibi për rezultatin ne zgjedhjeve presidenciale, pasi nuk është fshehtësi se VMRO-DPMNE-ja pasi gjithë asaj nëpër të cilën ka kaluar nuk ka ndonjë kapacitet për të fituar zgjedhjet. Gjasat janë shumë minimale dhe këtë e shoh si mënyrë të saj të përgatitjes për t’i hedhur tjetërkujt fajin për humbjen e zgjedhjeve”, thotë Musliu, duke shtuar se bojkoti bie ndesh me politikat e saj edhe për faktin se në një situatë tillë vendi do të drejtohej nga një president i përkohshëm, e që në këtë rast do të ishte kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi, të cilin VMRO-ja nuk e njeh si kryeparlamentar.

“Nëse VMRO-ja shkon drejt realizimit të ndonjë strategjie të saj për moszgjedhjen e presidentit, kjo gjithsesi se do të shkonte në favor të kreut të Kuvendit, i cili në një situatë të tillë do të merrte edhe detyrën e presidentit të përkohshëm. Këtë a thua si do të sqaronte VMRO-ja para elektoratit të saj, prandaj nuk besoj se do të bënin një eksperiment të tillë të bojkotit të zgjedhjeve me qëllim të moszgjedhjes së presidentit”, thotë ai.

Data e zgjedhjeve presidenciale duhet të publikohen në javën e parë të muajit shkurt, ndërsa ato do të mbahen në muajt prill dhe maj, në dy rrethe zgjedhore. Por, ende mbetet e paqartë nëse do të ketë edhe zgjedhje parlamentare. Opozita kërkesën e ka dorëzuar në Kuvend, por partitë në pushtet ende nuk kanë një përgjigje të prerë pasi në mbledhjen e fundit organet partiake të Lidhjes Social Demokrate (LSDM) kanë autorizuar kryeministrin, Zoran Zaev dhe kryesinë e ngushtë që të thonë fjalën përfundimtare./REL