Edhe jashtë parlamentit vazhdojnë replikat në mes deputetit të PDSH-së Orhan Ibrahimi dhe zëdhënësit të BDI-së Bujar Osmani. Vendet e përshtatshme për këto replika kanë qenë profilet e tyre personale në facebook.
I pari që ka nisur debatin diskutimin është pikërisht Orhan Ibrahimi i cili duke e quajtur Haxhi dr. Bujar Osmani, ka hedhur një sërë akuzash kundrejt tij, Ali Ahmetit dhe BDI-së.
“…të mbash epitetin “Haxhi”dhe ” Dr.”,dhe të pagëzohesh me emirin “Bujar”, disi nuk shkon me këtë gënjeshtër të zhveshur, me manipulimet dhe zullumin që bënë Aliu dhe BDI-ja. E treta, shumë seriozisht, ju lutem miq dhe të nderuar shqiptarë kudo që jeni . A ka ndonjë, që të na tregojë ? Sepse nuk po mundë ta kuptoj Bujarin, Alinë dhe BDI-në ,se si çka i llogarisin shqiptarët”, theksoi ndër të tjera z. Ibrahimi.
Nuk ka hezituar t’i kundërpërgjigjet edhe Bujar Osmani, i cili gjithashtu ka zgjedhur facebookun për t’u shprehur:“Lexova disa lloj reagime nga disa politikanë (madje deputetë) opozitar, rreth kursit politik të BDI-së. Përshtypja e parë është se ata ende nuk i kanë të qarta konceptet kryesore dhe largpamëse të BDI-së.”
Që të jetë më qesharak reagimi i tij, Osmani ka përmendur si koncepte largpamëse të BDI-së Marrëveshjen e Ohrit,  e cila sipas tij ka krijuar parakushte për barazi të maqedonasve dhe shqiptarëve, por nuk i ka trajtuar pabarazitë historike që janë bërë ndaj shqiptarëve në 50 vitet para saj. Kjo Marrëveshje ka vite të tëra që nuk është implementuar pikërisht për fajin e BDI-së, por Bujarit si duket nuk i bëhet vonë, sepse ai me siguri nuk përballet me padrejtësitë që ua bën shteti shumicës së shqiptarëve.
“Tash është koha e shkrirjes definitive të të gjitha gepeve dhe është koha për arritjen e barazisë kombëtare. Nëse 91-shi solli demokracinë, 2001-shi drejtësinë, tash është koha për barazinë. Andaj, tre qëllimet kryesore strategjike të BDI-së për mbylljen e misionit janë: INTEGRIMI -NATO/BE, BARAZIA KOMBËTARE dhe MIREQENIA EKONOMIKE”- përmbylli kështu përgjigjen e tij të gjatë Osmani.
Përndryshe ky diskutim nisi pas deklaratës që bëri Bujar Osmani i cili theksoi se BDI-ja nuk do të bëhet pjesë e qeverisë në qoftë se nuk do të ketë barazi në mes shqiptarëve dhe maqedonasve. Këtë deklaratë e dha Bujar Osmani para disa ditëve për revistën DNEVNIK dhe duket që ende diskutimi për të vazhdon.