Graham Phillips është “gazetar” britanik i cili po bën fushatë kundër Kosovës, ai vazhdon ta quajë UÇK-në, organizatë terroriste.

Phillips thotë se i vie turp se i takon kombit britanik për shkakun se vendi i tij ndihmoi UÇK-në dhe pavarësimin e Kosovës.

Gazetari kontroverz ka prodhuar të paktën 10 materiale kundër Kosovës. Të gjitha këto materiale, Phillips i realizon para lapidarëve të UÇK-së dhe simboleve e vendeve të tjera që identifikojnë luftën, lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

Organizata e Veteranëve të Luftës në Kosovë nëpërmjet një reagimi, ka thënë se nuk janë të habitur me Graham William Phillips, i njohur për skandale të mëhershme, të vetëshpallurin gazetar ushtarak britanik, për shkak se ai ka punuar dhe punon për interesat ruse.

Organizata e veteranëve thotë se të gjithë e dinë se edhe më herët janë bërë shumë akuza ndaj UÇK-së, si nga Del Ponte e më vonë nga Dick Marti e raporte të tjera, por luftën e saj nuk do të mund ta njollosin.