Sammy Ketz

Vetëm dy muaj më parë, më 12 shtator, Parlamenti Evropian votoi masivisht në mbështetje të një direktive evropiane që i jep shpresë shtypit dhe agjencive të lajmeve që, më në fund, ato do të paguhen nga gjigantët globalë të kërkimit në internet. Për vite me radhë, gjigantët e internetit marrin çdo ditë mijëra lajme të mediave të ndryshme pa u paguar as edhe një qindarkë publikuesve të tyre.

Votimi historik për direktivën evropiane të së “drejtës së autorit” u bë i mundur falë mobilizimit të jashtëzakonshëm të gazetarëve dhe kurajos së anëtarëve të Parlamentit Evropian, pavarësisht presionit të vazhdueshëm dhe të paprecedentë të ushtruar nga firmat e mëdha të teknologjisë.

Teksti tashmë kërkon konsensusin e Parlamentit, të Këshillit të Ministrave dhe Komisionit Evropian.

Në kushtet e një fushate të re e të përgjithshme lobimi, gjigantët e kërkimit në internet kanë hyrë në procesin e fshirjes së tekstit të përmbajtjes: ato po përpiqen të heqin referimet ndaj “paragrafëve të shkurtër”, “raportimeve faktike” ose “fragmenteve të shkëputura nga media” në mënyrë që të përjashtojnë agjencitë e lajmeve si dhe të shkurtojnë periudhën mbrojtëse për të drejtat e autorit.

Faktet janë për të gjithë. Gjithkush mund t’i shpjegojë dhe analizojë ato. Megjithatë, kur një motor i kërkimit në internet përvetëson fjalë për fjalë produktin e një gazete apo agjencie lajmesh, është plotësisht normale që të paguajë një tarifë për të drejtën e autorit, madje edhe nëse bëhet fjalë vetëm për një paragraf të shkurtër.

A mundet ndokush të përfytyrojë qoftë edhe për një çast se asgjë nuk paguhet për një lajm faktik lidhur me daljen e Britanisë së Madhe nga BE-ja (Brexit), apo për tragjeditë e refugjatëve të zhdukur në ujërat larg brigjeve të Greqisë me justifikimin se bëhet fjalë vetëm për “paragrafë të shkurtër”?

Mendoni për një punë investigative dhe shkrimin që botohet me titullin “Sulm kamikaz në lagjen shiite në Bagdad: 32 të vdekur, njoftojnë policia, spitalet”. Për të shkruar këtë rresht të thjeshtë, gazetari pyet policinë për të përcaktuar se çfarë lloj shpërthimi ka ndodhur, telefonon spitalet për të përcaktuar numrin e të vdekurve, viziton skenën e shpërthimit për të bërë një përshkrim dhe për të intervistuar dëshmitarët. Ka raste kur ai mund të rrezikojë jetën e tij, sepse nuk është e pazakontë që një sulm i dytë të ndodhë në të njëjtin vend si i pari. Ky ishte rasti i fundit në Kabul kur nëntë gazetarë dhe fotografë humbën jetën, përfshi Shah Marai nga AFP.

Gjetja e fakteve kërkon gjithashtu eliminimin e thashethemeve që ndotin të gjitha lajmet kryesore: marrja e pengjeve në sulmin e Nisës në 2016, i cili shkaktoi 86 të vdekur, krimin e shëmtuar në Kullën Eifel natën e ngjarjeve tragjike të 13 nëntorit në Paris… Lajmi i rremë shpërndahet nëpër rrjetet sociale dhe zhduket vetëm pas kontrolleve të kujdesshme nga media.

Kjo është puna e përditshme e të gjithë gazetarëve, fotografëve, kameramanëve, gjithashtu edhe rutina ime për vite të tëra në Bagdad, Teheran, Kajro, Damask, Bejrut. Nëse marrja e lajmeve nga botuesit dhe agjencitë anashkalon të drejtat e autorit, sepse ato janë ekstrakte të shkurtra, udhëzimi do të jetë pa substancë. Kjo do të thotë se puna themelore e profesionit tonë, kërkimet dhe shkrimi i fakteve të provuara, nuk kanë vlerë. Dhe të gjitha investimet që botuesit dhe agjencitë e shtypit bëjnë për të sjellë lajme te publiku do të shkojnë dëm.

Gjithashtu, të lë të kuptosh se faktet nuk e bëjnë historinë. Në fund, fusha do t’u lihet atyre që përhapin lajme të rreme.

Nëse do të hiqeshin ekstrakte të shkurtra nga të drejtat e autorit, botuesit dhe agjencitë e lajmeve do të punësonin më pak gazetarë, do të mbyllnin zyrat e tyre në Afganistan, Irak, Iran, Korenë e Veriut… Atëherë, cilat do të jenë burimet e informacionit? Media shtetërore? Fushatat e dezinformimit të drejtuara nga regjimet autoritare?

Le të mos lejojmë “programet kompjuterike” ose robotët e programuar të kryejnë fushata ndikimi dhe “fermat përgjuese” të marrin përsipër nga gazetarët ose të lënë mënjanë informacionin online për të zëvendësuar faktin e verifikuar.

Nëse ekstrakte të shkurtra hiqen nga të drejtat e autorit, plaçkitja e përmbajtjes do të vazhdojë. Arsyeja është e thjeshtë: ajo çfarë lundruesit e internetit lexojnë në sasi të mëdha, ajo çfarë gjeneron miliona ndërveprime online dhe kështu të ardhura të konsiderueshme për platforma, janë pikërisht këto ekstrakte të shkurtra. Nëse lajmet faktike përjashtohen nga direktiva, ajo që mbetet do të jetë një guaske boshe.

Një tjetër temë e debatueshme për gjigantët e internetit është eliminimi i të drejtave të autorit nga agjencitë e shtypit. E megjithatë, ata janë në vijën e frontit të lajmeve. Çdo ditë, çdo orë, çdo minutë, ato prodhojnë lajme, fotografi, video përmes rrjeteve të dendura që ata kanë ndërtuar në të gjithë botën edhe në vendet më të paarritshme. Ata mbeten një busull e domosdoshme që ndihmon të gjithë, falë informatave të vërtetuara, pluraliste dhe shteruese për të ditur se çfarë po ndodh nga Siria në Rusi, nga provincat e izoluara në kryeqytete.

Pa agjencitë e lajmeve, gazetat, stacionet e radios dhe televizionit dhe faqet e internetit do të humbnin një pjesë të madhe të kontributit të tyre të lajmeve. Pa agjenci, fotot do të bëheshin më të rralla. Lajmi i rremë do të përhapej. Përmbajtja e agjencisë është plaçkitur po aq sa puna e botuesve. Është e domosdoshme për demokracinë që agjencitë të vazhdojnë të ekzistojnë dhe kjo kërkon që ato të përfshihen plotësisht brenda Direktivës, në të njëjtën mënyrë si dhe botuesit.

Kohëzgjatja e mbrojtjes e parashikuar nga direktiva evropiane për të drejtat e autorit është një çështje kyçe. Disa kërkojnë që ajo të reduktohet deri në një vit. A nuk do të ishte absurde që gjigandët e internetit të mund të përdorin pa pagesë fotografitë tragjike të sulmeve të Parisit në 2015, për shkak se ka kaluar më shumë se një vit? Është e qartë se jeta e një fotografie nuk kufizohet në një vit dhe se mund të ripërdoret rregullisht. Logjika dhe ndershmëria diktojnë një rikthim në periudhën fillestare të kohëzgjatjes të propozuar prej 20 vjetësh.

A mundet Bashkimi Evropian të marrë përsipër rrezikun për të zhveshur këtë të drejtë autori nga thelbi i saj, kur ne jemi dëshmitarë të rrezikut në rritje në mbarë botën dhe përhapjes së “lajmit të rremë” (Fake News)?

Na është thenë, dhe me të drejtë kjo duhet të na thuhet, se sa të rëndësishme janë për demokracinë zgjedhjet evropiane të majit të ardhshëm. Atëherë, le të mos e shkatërrojmë një tekst parlamentar të miratuar më 12 shtator nga 438 deputetë, një shumicë shumë e fortë, pas dy vitesh pune.

Ajo që është në lojë në Bruksel në këtë kohë, është mbrojtja e kulturës evropiane dhe e shtypit; është e ardhmja e shtypit dhe e të gjitha arteve të tjera krijuese, qoftë muzika, letërsia, kinematografia, teatri apo poezia. Dhe nuk do të ketë ndikim negativ mbi konsumatorët që do të vazhdojnë të kenë qasje të lirë.

Zonjat dhe zotërinjtë, ministrat, deputetët, anëtarët e Komisionit, gazetarët, botuesit dhe agjencitë e lajmeve janë të bashkuar në kërkesën për shpërblim të drejtë për punën e tyre dhe investimet e bëra për të mbajtur publikun të informuar. Kjo është arsyeja pse vendosja e të “drejtave të duhura të krijimtarisë dhe autorit është e rëndësishme për demokracinë tonë”.