Paskal Milo: Cakaj ka dorëzuar dorëheqjen e parevokueshme. Presidentit e quan “të rrezikshëm” dhe që nuk jep garanci për postin

Lindita Bushgjokaj

Presidenti Ilir Meta refuzoi dje të dekretojë si ministër të Jashtëm Gent Cakajn. Në një letër prej 5 faqesh, presidenti argumenton se kandidati është “i rrezikshëm” dhe nuk paraqet “garanci” për postin. Kryeministri e quajti letrën “të turpshme”. Ndërkaq, historiani Paskal Milo i ftuar në “360 Gradë” në Ora Neës bëri me dije se Gent Cakaj i ka dhënë dorëheqjen e parevokueshme kryeministrit Rama. “Unë personalisht mendoj që me gjithë respektin që kam ministrin Bushati, mendoj që vendimi i Ramës për ta larguar nga qeveria është përfundimtar. Besoj që nuk do të jetë më pjesë e qeverisë. Sa i përket zëvendësimin e zt.Bushati, unë do t’ju them që opsionet mund të jenë dy-tre. Me sa jam në dijeni zt.Cakaj i ka dorëzuar sot dorëheqjen kryeministrit. Dorëheqja sipas informacionit që kam unë, është e parevokueshme në rastin kur zt.Cakaj do mbesë në pozitën e zv/ministrit të Jashtëm.

Argumentet e Presidentit

“Nuk është i besueshëm për ministër”, ky është konkluzioni i Metës në fund të një letre me 5 faqe dërguar Ramës dhe të bërë publik nga Presidenca. “Kandidatura e z. Gent Cakaj nuk i plotëson kushtet, nuk krijon besueshmëri dhe nuk ofron garancitë e nevojshme për ushtrimin me objektivitet dhe në lartësinë e kërkuar të detyrës tepër të rëndësishme të ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme”, shtohet më tej në pjesën përmbyllëse të letrës së Metës. Në këto kushte, shkruan Meta, Presidenti i Republikës, në përmbushje të detyrimeve kushtetuese si Kreu i Shtetit, si Kryetar i Këshillit të Sigurisë Kombëtare dhe rolit të tij specifik kushtetues në politikën e jashtme të shtetit shqiptar, refuzon propozimin tuaj nr. 6174 prot., datë 31.12.2018, për emërimin e z. Gent Cakaj, në detyrën e ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme të Republikës së Shqipërisë.

“U shpreh pro ndryshimit të kufijve”

“Qëndrimet e tij publike në kontekstin e debatit për të ashtuquajturin korrigjim të kufijve të Kosovës e Serbisë por edhe të Ballkanit Perëndimor janë në kundërshtim të plotë me programin e qeverisë aktuale për politikën e jashtme dhe shtjellimin e saj nga Ministria e Punëve të Jashtme (citoj nga intervista e Zv/ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Gent Cakaj, për emisionin “Zona e Debatit” në Klan Kosova, dt. 01 nëntor 2019”. Kjo është “prova” përvëluese e Presidencës, që u ngrit kundër kandidatit me origjinë nga Kosova. “…Tani te korrigjimi i kufijve semantikisht kjo nuk është thjeshtë një operacion linguistik për ta relativizuar çështjen e këmbimit territorial, por situata ka evoluar tutje. Evoluimi i parë është, sepse po konceptohet në suaza të korrigjimeve të përgjithshme territoriale që janë duke ndodhur në Ballkanin Perëndimor”…-ka thënë kandidati për ministër i Jashtëm. Këto deklarata, Meta i quan “të rrezikshme”, me pasoja të paparashikueshme në rajon dhe me gjerë, në planin dypalësh dhe më tej, janë në kundërshtim të hapur me politikën rajonale të shtetit shqiptar, të NATO-s dhe të vetë Bashkimit Evropian. Dekreti prej pesë faqesh i është kthyer kryeministrit Edi Rama për rishqyrtim këtë të enjte. Kreu i shtetit renditi tek arsyet e kthimit të dekretit edhe faktin që Cakaj nuk ka përvojë politike dhe diplomatike. Ndërkaq, kreu i qeverisë gjatë një takimi me trupin diplomatik pasditen djeshme ka lëshuar një tjetër mesazh për Presidentin Meta, i cili ka refuzuar kandidaturën e Gent Cakajt si ministër të Jashtëm. Rama deklaroi, se nuk e parashikonte një vendim të tillë. “Takimin po e bëjmë jo si gjithmonë, por tani sepse fundi i vitit të kaluar ishte shumë intensiv. Ju sot erdhët këtu, gjetët një qeveri të re, por një Shqipëri të njëjtë, dhe me avazin e Presidenti të Republikës, që nuk pranoi të dekretojë një ministër të Jashtëm, por unë nuk e parashikoja dot këtë fakt”, tha Rama.