ARSIM ZEKOLLI

Fillimisht, ca shpjegime bazike mbi natyrën e marrëdhënieve ndërkombëtare dhe diplomacisë, të cilat edhe pse të ndërlidhura për nga natyra e misionit, dallojnë për nga roli dhe objektivi. Thënë ndryshe, në skemën globale të raporteve mes shteteve marrëdhëniet ndërkombëtare janë substanca legjislative që determinon interesat nacionale në raport me botën e jashtme, ndërsa diplomacia është metodë ekzekutiv i implementimit të postulateve dhe strategjive të shtetit në raport me partnerët njëpalësh (shtetet) dhe faktorët shumëpalësh (institucione ndërkombëtare).  Ky ca i thjeshtësuar shpjegim për ndarjen e  detyrave, përbën boshtin dinamik ndërlidhës të interesave kombëtare dhe rregullave ndërkombëtare, si parakusht për arritje të rezultateve të aspiruara. Mungesa e kohezionit ose insuficienca, sjellë në pikëpyetje efikasitetin produktiv të raporteve me botën e jashtme. Pa politikë të jashtme të definuar qartë, nuk mund të ketë diplomaci efektive dhe kuptimplotë.

Shpjegimi në fjalë nuk aspiron të definojë parametrat permanentë konfuzë të marrëdhënieve ndërkombëtare, aq sa te qartësojë sterilitetin e politikës së jashtme të Maqedonisë e cila gjithnjë e më shumë vjen në shprehje në rastin e raporteve me Greqinë, raporte këto që mund të konsiderohen si një test lakmusi i kalbjes interne, ndërsa qasja e dy partive në koalicionin qeveritar si agjent inicues të erozioneve degjenerative nq hov, tanimë të pandalshëm. Deklaratat nga zyrtarët e dy partive, në vigjilje të vizitës se fundit te delegacionit BDI-së në Athinë, vetëm se vërtetojnë këtë degjenerim vetdestruktiv, si rezultant e mungesës së doktrinës së politikës së jashtme, strategjisë për implementim të saj dhe metodës (diplomacisë)  për të zhvilluar atë në raport me palët eksterne.

Refuzimi për të ofruar shpjegimin bazik për hapin fillestar të akordimit të vizitës, i.e. nëse është bërë me kërkesë të BDI-së apo me ftesë nga MPJ Greke, sinjalizon dhe konfirmon mungesën e peshës fuqiplotë vendimmarrëse të BDI në politikën shtetërore, hendikep ky faktik të cilin mundohet ta kamuflojë me dinakëri obskurantiste partiake dhe krekosje lokal-politike, që nuk bartin kurrfarë peshe në arenën ndërkombëtare. Ngurrimi për të ofruar shpjegim transparent për hapin fillestar në akordimin e vizitës, është gjithsesi hap amatoresk dhe kundërproduktiv që kërcënon të diskreditojë natyrën dhe qëllimin e vizitës. Ashtu siç ndodhi me deklarimin qartësues nga pala Greke, e cila nuk nguroi të konfirmojë se vizita bëhet me kërkesë të BDI-së.

Për të qenë korrekt, reagimi i MPJ në tentativë për ta devalvuar vizitën BDI në Athinë, ishte faktikisht i pakuptimtë, politikë komikë dhe i ngarkuar me patetizëm të patolerueshëm për një institucion serioz shtetërorë. Për nga forma, fakti që në përbërje të delegacionit gjendet një zëvendëskryeministër i ngarkuar për implementimin e një Marrëveshje nën garanci ndërkombëtare si dhe një ministër i ngarkuar për Integrime Evropiane, do të duhej të eliminojë kualifikimin e vizitës si “çështje partiake”. Do të duhej, por ja që dëshira për të lartësuar imazhin e udhëheqësit të delegacionit (lideri politik dhe deputet i BDI, Ali Ahmeti) në kurriz të pjesës zyrtare, qeverisëse me ingerenca fuqiplota në zhvillim të marrëdhënieve të jashtme, devalvon arsyetimin fillestar se edhe vizita e MPJ Nikola Popovski, ka qenë me natyrë partiake, gjë që gjithsesi në esencën e saj është e tillë, por me formë dhe autencitet ligjor të pamohueshëm shtetërorë, fal respektit të protokolleve bazike të komunikimeve ndërshtetërore. Natyrisht, kjo lojë papjekurie mes dy partive qeverisëse gjithsesi se bazohet mbi argumentet e brendshme etnike të kamufluara nën argumentime të tejdukshme banale dhe imitime qesharake të komunikimit diplomatik dhe politik. Por, finesat e brendshme etnike, nuk përkthehen në të njëjtën gjuhë të komunikimit ndërshtetërorë dhe ndërkombëtarë.

Komedia e komunikimit mes të papjekurve nga BDI-ja dhe MPJ (VMRO), nuk do të meritonte më shumë vëmendje se që duhet, sikur të mos shpaloste dikotominë evidente të shpjeguar në paragrafin e parë. Ekzibicionet e dy palëve nuk sollën asgjë tjetër përveç se konfirmimit të debaklit diplomatik evident, për të vazhduar tutje me konkluzion se debakli diplomatik nuk është çështje incidentale, por manifestim ekstern i  problemit më të rëndësishëm – mungesës së politikës së jashtme të Maqedonisë.

Konkluzionet e këtilla mund të mos ngjajnë si tepër dramatike dhe të rëndësishme, por në arenën ndërkombëtare dhe botën e diplomacisë, ekzibicionet e këtilla paraqesin padyshim shenja të procesit të erozionit intern të një shteti. Për të shmangur dyshimet dhe akuzat për interpretime maicioze, konsideroj të udhës që shpjegimin për konkluzionet e mëparshme ta huazojë nga eksperti për marrëdhënie ndërkombëtare Hans Morgenthau. I cili diplomacinë e definon si “mendja e fuqisë kombëtare, ndërsa morali kombëtar është shpirti i kombit. Prej gjithë faktorëve që ndërtojnë fuqinë e një kombi, cilësia diplomatike përbënë elementin më të rëndësishëm, edhe pse jostabil.” Konsiderimi i këtij konkluzion nuk mund të ketë vetëm konotacion pozitiv. Shembulli ynë është vërtetim i konotacionit negativ në kuptim të ilustrimit se ç’ndodh kur diplomacia është e shëmtuar dhe disfunksionale. Prandaj, sjella e partnerëve qeveritarë është ilustrim sublim i gjendjes së mjerueshme të “mendjes të fuqisë kombëtare” dhe shpalosje famëkeqe e cilësisë të “moralit kombëtar” të Maqedonisë nën udhëheqjen Gruevski – Ahmeti.

Në lidhje me këtë pozicionim, është më se indikative saltoja marramendëse e qasjes verbale te Shkupit zyrtar ndaj Greqisë, ne evoluim nga trajtimi i fqiut jugor si “shtet fashist, gjenocidal” ne trajtim te grekëve si “kushërinj” (deklarata e MPJ Popovski), por pa konfirmim reciprok nga pala Greke, gjë që njëkohësisht imponon dilemën, se cili mund te jete roli i z. Ahmeti, ne këto “afera kushërirore”. Në fakt ku jo aq më shumë sqaron ndryshimin dramatik të kursit politiko-diplomatik, nga acarimi armiqësor nga Shkupi zyrtar drejt kursit te përkëdheljes se hapur ndaj Athinës zyrtare, nga ana e partisë “me patriotike” Maqedonase.

Shikuar nga distanca, z. Gruevski dhe z. Ahmeti, ndajnë të njëjtin motiv për sharm-ofensivat ndaj Athinës.  Izolimi evident dhe gjithsesi jo-spontan ndaj të cilit janë nënshtruar të parët e VMRO dhe BDI-së nga BE dhe ShBA, ka për qëllim të imponojë Athinën si dritare ndaj botës, horizontet e së cilës do të hapen posa të pranohet ndryshimi i emrit të Maqedonisë. Por kjo qasje e “korridorizimit njëkahësh” të Maqedonisë drejt Athinës bazohet edhe mbi një faktor të ri që kërcënon të destabilizojë bilancin e deritanishme të politikbërjeve vendore të Maqedonisë në aspektin rajonal. Fjala është për Turqinë e cila mos ndryshimin e qëndrimit të Shkupit, ndaj çështjes së emrit, e konsideron pjesë integrale të strategjisë së saj në rajon. Pas romancës disa-vjeçare në vijën Shkup-Ankara me pasagjerë prioritarë nga VMRO dhe BDI, mund të vërehen simptomat e para të hezitimit të VMRO për të vazhduar me shprehjet se “Erdoganin e mbajmë në zemër” (Ivanov) dhe nevojës për rishpikje të afërsisë “kushërinore” me Grekët. Ndërkohë që paraqitja e “Besës”, shtyri BDI të riformatojë raportet speciale me Turqinë në masë që Ali Ahmeti, e ndjenë të udhës të alarmojë për “ndikimet nga lindja”. Përkundër faktit që pikërisht ai personalisht dhe bashkëpunëtorët e tij me të afërt konsiderohen si më meritorët për depërtimin dhe shtrirjen e interesave turke në Maqedoni, dhe sidomos në rajonet e banuara me shqiptarë. Paraqitja e “Besa” si faktor disbalanci në skenën politike, përmes cenimit të ekskluzivitetit të BDI (dhe PDSh) në mbarëvajtjen e raporteve profitabile me Ankaran, është një nga arsyet kyçe për vizitën para-zgjedhore të z. Ahmeti. Me shpresë të rikthimit të relevancës vendimmarrëse dhe kompensimit të humbjes së përkrahjes nga bashkësia ndërkombëtare, Ankaraja, por edhe nga Prishtina dhe Tirana.

Me fjalë të tjera, politika e servilizmit të Ali Ahmetit para VMRO-DPMNE-së, dhe përfitimit nga status-quo pozita në raport me integrimet euro-atlantike, tani sjell vetëdijesimin e vonuar të BDI-së, se vazhdimësia e izolimit të mëtutjeshëm të vendit, nënkupton cementim të interesave të Turqisë në Maqedoni. Dhe si pasojë, dezavuim të rëndësisë të BDI-së së korruptuar dhe kriminalizuar, e cila fal grykësisë maniakale, gradualisht do ta humbë primatin para faktorizimit të “Besa”. Apelet nga Reçica e Vogël dhe kërcënimet për “ndikimet nga Lindja”, gjithsesi se do të kishin efekt pozitiv në qendrat e vendosjes, sikur të mos ishin aferat korruptive dhe kriminaliteti i bashkëpunëtorëve më të afërtë të “Bosit” të vetëpelqyer nga Zajazi. Është çështje për debat nëse z. Ahmeti, shtiret apo vërtetë nuk kupton se përfshirja e partisë se tij në krim dhe korrupsion, nuk është vetëm çështje e moralit të tij të ligë apo mungesë e aftësisë për qeverisje të mirë, por kryekëput çështje që ka të bëjë me stabilitetin e vendit dhe rajonit. Përkundër vokabularit përplot BE dhe NATO, në realitet z. Ahmeti dhe partia e tij BDI-ashtu sikur edhe z. Gruevski dhe VMRO – sot konsiderohen si Kali i Trojes përmes të cilit në vend dhe rajon depërtojnë dhe institucionalizohen elementet me anti-perëndimore dhe anti-demokratike. Dhe Athina këtë e ka më se të qartë dhe me shkathtësi e inkorporon në strategjinë e zgjidhjes se çështjes së emrit konform interesave strategjike të politikës së saj të jashtme.

Ekzibicionet e z. Ahmeti në shëtitje nëpër sheshet e Athinës janë vetem se tentative koti për të dhënë përshtypje se “ja, po mundohemi”, por në thelb pa peshë të vërtetë diplomatike. Shpërthimet e dashurive mes “kushërinjve” nga ana e MPJ Popovski, janë vetëm se manovra të tejdukshme për ta mbuluar qiellin me shoshë dhe për të dhënë spin pozitiv mbi të vërtetën e hidhur.  Sjelljet e këtilla të dyshit VMRO-BDI ndaj Greqisë, padyshim imponojnë të vetmen konkluzë: Çështja e emrit është përfunduar në favor të Athinës, ndërsa tani vetëm kërkohen modalitete për kamuflim të disfatës mes formulimeve për shpëtim të Shkupit nga “fytyra e zezë”.

Kjo nënkupton se ndryshimi i emrit do të ndodhë së shpejti? Përgjigjja në këtë pyetje, nuk ka të bëjë me cilësitë diplomatike, por me konceptet e politikave të jashtme të dy vendeve. Përderisa Maqedonia përqendrohej në manipulime nacional-emocionale, kot-tatkika juridike dhe ekzibicionizma diplomatikë të çastit, si kompensim për mungesën e politikës së jashtme të definuar mbi interesa nacionale dhe shtetërore, Greqia me shkathtësi diplomatike prezervonte dhe avanconte strategjinë afatgjate të politikës së saj të jashtme, e cila nuk fillon dhe nuk do përfundon – me zgjidhjen e kontestit te emrit. Gjykuar mbi këto dy parametra diametralisht të kundërshtuara, imponohet bindja se Athina nuk ka arsye për të shpejtuar drejt zgjidhjes së emrit, vetëm dhe vetëm sa për të zgjidhur një kontest me një shtet i cili tani nën ethe ballafaqohet me pasojat e megalomanive etno-politike dhe diplomacive te partizuara, por koha tani punon në favor të Greqisë. Ndërsa dikush në Ministrinë e Punëve të Jashtme të saj, mbase nuk harron këshillën Shekspiriane se “hakmarrjet më të mira, serviren të ftohta”.

Loading...