Afrim FANDA

Për kë bien këmbanat kur vdes një njeri? Sigurisht jo për të vdekurit, do të thoshte Ernest Hemingway! Të vdekurit nuk i dëgjojnë dot. Këmbanat bien për të gjallët, për t’i ftuar të përcjellin të vdekurit, dhe për t’ua kujtuar se ka vdekje!

Këmbanat, bien edhe ndër shqiptarët e IRJM. Madje kohëve të fundit bien edhe më fortë. Janë këmbana alarmi, që sërish, nuk bien për të vdekurit por për të gjallët. Dhe kur them të vdekurit, nuk e kam fjalën për të vdekurit biologjik, por për klasën politike që ka vdekur prej kohësh shpirtërisht, moralisht… bashkë me ca intelektualë në shërbim të tyre.

Bëhet fjalë për ata që i ftonin shqiptarët për të votuar marrëveshjet e sllavëve me fqinjët, duke u thënë se nuk ka rëndësi si do të quhen – sipas një kryengritjeje bullgare, maqedonoveriorë, maqedonas sllavë, popull njëzetpërqindësh… mjafton që duke pranuar këtë, do të kenë mundësi të “integrohen” (duke ikur) në BE.

Janë pikërisht ata që firmosën deklaratën e përbashkët demagogjike ku deklaruan se angazhohen për ngritjen e statusit të shqiptarëve në Maqedoni në popull shtet-formues, me gjuhë zyrtare, me status të barabartë me gjuhën maqedonase, dhe po në këtë deklaratë shprehën përkushtimin që këto të drejta t’i realizojnë në përputhje me frymën e Marrëveshjes së Ohrit, e cila qartazi konsideron dhe trajton shqiptarët si pakicë kombëtare, të cilës i jepen “pak më shumë” të drejta, aty ku është “pak më shumë” se 20%. Që gjuhën shqipe do ta bënin gjuhë zyrtare në tërë territoirn e IRJM, por gjithmonë me frymën e Marrëveshjes së Ohrit, e cila në pikën 6, nënpikën 4 të saj përcakton gjuhën maqedonase gjuhë zyrtare në tërë Republikën e Maqedonisë dhe në marrëdhëniet ndërkombëtare, ndërsa gjuhën shqipe si gjuhë e 20% -shit. E statusin e shqiptarëve në IRJM do ta avanconin në popull shtet-formues, me frymën e po kësaj marrëveshjeje, e cila në amandamentin e rënë dakord nga nënshkruesit, edhe pse nuk përmend “popullin maqedonas” si të vetmin shtetformues, qartazi shtetformësinë e vendos në themelet e Republikës së Krushevës, dhe vendimet e “ASNOMIT”, të cilat, të dyja nxjerin sllavët si të vetmit shtetformues.

Dhe të njëjtit sot, në bashkëpunim me “reformatorët” sllavë, trashëgimtarë të etërve të tyre komunistë të “ASNOMIT”, me ndryshimet kushtetuese të propozuara, ofrojnë shqiptarëve “ridefinimin” e shtetit, por sërisht në “shtylla” kryekëput sllave: Ilindenin, një kryengritje bullgare, ASNOM-in, një këshill antifashist pjellë e partisë komuniste të Jugosllavisë, Referendumin për Pavarësi të IRJM, të bojkotuar nga shqitparët, dhe për të hedhur hi syve të shqiptarëve, Marrëveshjen e Ohrit, një marrëveshje e e bazuar në vendimet e tre të parave! Një marrëveshje një-përdorimshe, e sajuar për t’i dhënë fund një lufte, por në të njëjtën kohë, duke nxitur një luftë tjetër në të ardhmen. Marrëveshje me të cilën palët, në nënpikën 3 të pikës 1 – të parimeve themelore të kësaj marrëveshjeje, angazhohen që “të ruhet dhe të gjejë shprehjen e vet në jetën publike karakteri shumetnik i shoqërisë maqedonase”, e njëkohësisht konsiderojnë karakterin unitar të shtetit të pashkelshëm!? Marrëveshje, me të cilën (pika 2 nënpika 1 – Ndërprerja e armiqësive) “grupet e armatosura etnike shqiptare” u çarmatosën, por nga anta tjetër u lanë armët në duart e palës tjetër në konflikt – e asaj që bëri masakrën mbi popullsinë civile në Luboten, Tetovë, Kumanovë…, e asaj që zotëron pushtetin dhe gjithe instrumentet e dhunes që ka pushteti, duke vazhduar masakrat me rradhë – 2003 Sopoti, 2007 Brodeci, 2010 Egzekutimi pa gjygj i Harun Aliut dhe shokëve të tijë, 2012 “Monstra”, 2015 Kumanova…

Dhe kur them se këmbanat e alarmit bien për të gjallët, kam fjalën për ata shqiptarë që janë akoma në gjendje të kuptojnë se heshtja dhe dëgjueshmëria i bën gjërat akoma më keq, e ikja nuk është integrim e as zgjidhje e problemeve të tyre. Sepse, aty ku do të ikin me arsyetimin se qytetet dhe lagjet e tyre në IRJM ngjajnë në lagjet dhe qytetet e Sirisë dhe Afganistanit në luftë (rrugët janë me gropa, spitalet dhe shkollat si stalla kafshësh,…), do të jënë ashtu si të ikurit nga këto vende, ca të padëshiruar që nuk nuk qëndruan në vendin e tyre për të bërë ndryshime por shkuan atje për t’i gezuar pa të drejtë ato të ndërtuara nga të tjerët!

Kam fjalën për ata të gjallë për të cilët akoma ka shpresa që tingujt e këmbanave të alarmit t’i vetëdijësojnë për faktin se duke mos vepruar bëhen bashkëfajtorë në shkatrimin e perspektivës dhe ardhmërisë së fëmijëve të tyre. Mbështetja e klasës politike aktuale që anashkalon të drejtën e shqiptarëve për pjesën e shtetit dhe pushtetit (e kjo nuk nënkupton poste abuzimi për injorantët dhe kriminelët e partive mercenare në pushtet), siguron mirëqenien sot për ata vete dhe familjet e tyre, por i lë brezat e ardhshëm me cështje të pazgjidhura, e me të ardhme të pasigurtë.

Këto këmbanat bien në veçanti për të pavendosurit, që sot vendosin me votë, për ti vetëdijësuar se rrugë të ndërmjetme nuk ka! Është rruga e ndershme, e moralshme, e ndërgjegjes së pastër por edhe e sakrificës. Dhe tjetra, e pandershme, e pamoralshme, e ndërgjeges së vrarë, e turpit…

Loading...