Shiu që po bie nga mëngjesi i sotëm, nuk i pengoi aspak emigrantët ekonomikë të dalin nga çadrat e tyre për të protestuar në kufirin ndërmjet Maqedonisë dhe Greqisë. Të veshur me mushama dhe me pankarta në duar ku shkruan “Na shpëtoni jetët tona” dhe “Na duhet liria”, ata kërkojnë të drejtat e tyre për t’iu lejuar të vazhdojnë rrugën drejt Evropës, raporton Anadolu Agency.

Emigrantët janë të njëzëri – mbeten në binarët e hekurudhave dhe nuk kthehen prapa. Grupi nga Irani është në grevë urie në ditën e tretë, ndërsa para dy ditësh disa prej tyre në shenjë proteste e kanë qepur gojën e tyre me një gjilpërë dhe pe. Pas protestës së djeshme me heshtje të plotë nga ana e tyre dhe refuzimi për të dhënë deklaratë për mediat sot ata vendosën të flasin. Ata thonë se situata në Iran edhe pse nuk ka luftë është e padurueshme.

“Thoni se nuk ka luftë, por në fakt ka çdo ditë dhe në çdo moment. Ne jemi kundër qeverisë diktatoriale e cila na ndan mbi baza fetare, prandaj kërkojmë liri. Ne nuk ndjehemi të lirë për shkak se Irani na trajton sikur të jemi në holokaust. Lufta në Iran nuk do të përfundojë, po arrestohen familje të tëra, ndërsa demokratët dhe liberalët po vriten, si dhe ata të religjioneve të tjera. Nëse mendon ndryshe nga pushteti do të vritesh. Nuk kthehemi prapa. Gojët tona janë të qepura sepse në Iran nuk mund të flasim për lirinë. Nuk kemi zgjidhje tjetër, përderisa nuk na hapet rruga drejt lirisë gojët tona do të jenë të mbyllura”, tha Said-i nga Irani.

“Po të kishte luftë në Iran, ne do të protestonim për shkak të asaj. Ne jemi këtu, prandaj jemi duke protestuar për diçka shumë më të keqe se lufta”, tha Mahmud nga Irani.

“Irani nuk është vend i sigurt dhe ne jemi në rrezik për shkak të qeverisë, andaj jemi këtu. Heshtja është një përgjigje e mirë për atë që ndodh atje. Askush nuk e di saktësisht se çfarë po ndodh në Iran për shkak se mediat nuk e transmetojnë realitetin e vendit tonë”, ka thënë Nushin nga Irani.

Numri i refugjatëve në kampin e pritjes në ditën e tretë është reduktuar në mënyrë drastike. Këtë mëngjes në drejtim të vendkalimit kufitar në Tabanoc u nisën dy trena me rreth 1.000 refugjatë.

Ekipet e UNHCR-së dhe Kryqi i Kuq ndodhen në terren dhe vazhdojnë aktivitetet e tyre. Momentalisht në kampin pranues ka rreth 400 refugjatë.

12