Londra dhe Uashingtoni kanë filluar bisedimet fillestare për një marrëveshje tregtare për periudhën kur Britania të jetë larguar nga Bashkimi Evropian. Të dyja palët mendojnë se një marrëveshje e re tregtare do të sillte përfitime të mëdha ekonomike për të dyja palët. Por, qysh tani janë shfaqur dallime të mëdha rreth asaj se çfarë do të përfshinte marrëveshja, ndërkohë që Britania po i reziston kërkesave amerikane për të hapur tregjet e saj për produktet bujqësore që tashmë ndalohen nga ligjet e Bashkimit Evropian.

Në një video reklamë e industrisë amerikane të shpezëve thuhet se në Amerikë prodhohen disa prej produkteve më të sigurta në botë.

Evropa nuk është dakort. Bashkimi Evropian ka ndaluar importimin e pulave amerikane që lahen me klorinë për të hequr bakteriet e dëmshme. Evropa pretendon se përdorimi i klorinës dëmton standartet e produkteve, ndërsa Amerika nuk është dakord.

Një tjetër produkt i ndaluar është mishi amerikan i viçit të rritur me hormone artificiale. Pas Brexit-it, Uashingtoni e ka bërë të qartë se çfarëdolloj marrëveshje tregtare me Britaninë duhet të heqë ndalimin e këtyre produkteve.

“Do të donim një marrëveshje që t’i lejojë britanikëve të zgjedhin pula amerikane, mish viçi amerikan dhe produkte të tjera, ashtu siç mund të zgjedhin kur janë duke blerë ushqime në SHBA. Është thelbi i çdo marrëveshjeje financiare, të prodhimtarisë dhe bujqësisë – duhet të jetë e drejtë dhe e ndershme”, thotë Darrell Issa, i Agjensisë për Tregtinë dhe Zhvillimin të Shteteve të Bashkuara.

Zyrtarët amerikanë i kanë denoncuar ato që quajnë “mite” për fermat amerikane, duke i konsideruar si pjesë e një axhende proteksioniste.

Por, Britania ka premtuar vazhdimisht se nuk do të ulë standartet ushqimore pas Brexit-it.

“A do të pranojmë gjëra që besojmë se janë kundër interesave të konsumatorëve tanë dhe prodhuesve tanë? Jo. Do të jetë një proces negocimi”, tha Liam Fox, Ministrisë britanik i Tregtisë.

Mishi amerikan i viçit dhe pulës po ndikojnë edhe tek debati për kufirin irlandez që është bërë pengesë kryesore ndaj përpjekjeve të Britanisë për të arritur një marrëveshje për daljen nga BE-ja.

Britania dhe Evropa duan të shmangin kontrollet kufitare mes Irlandës së Veriut dhe Republikës së Irlandës. Por, ekziston frika se kështu mund të lihet hapur një hyrje anësore për në Bashkimin Evropian.

“Nëse Britania do të lejonte në tregun e saj pulat e klorinuara apo viçat me hormone, ne nuk do të dëshironim që ato të hynin edhe në tregun tonë apo edhe të Bashkimit Evropian”, thotë Leo Varadkar, Kryeministër i Irlandës.

Shtetet e Bashkuara thonë se një marrëveshje tregtare me Britaninë do të sillte përfitime të mëdha për sektorë si shërbimet financiare. Londra ndërkohë synon të rrisë kredencialet e saj si një fuqi globale tregtare në periudhën post-Brexit.

Por, larg godinave të larta të Nju Jorkut dhe Londrës, do të jenë fermat bujqësore që do të jenë pengesa më e madhe për çfarëdolloj marrëveshjeje.