Abdulla Mehmeti

Dhe Nevojën e riorganizimit të lëvizjes politike të shqiptarëve në Maqedoni
Terrori shtetëror sistematik dhe krimi i organizuar me përmasa gjenocidi mbi shqiptarët në Maqedoni e ka dëmtuar rëndë qenien tonë kombëtare, duke e orientuar mbrapshtë lëvizjen politike, energjitë dhe aktivitetin e pjesës dërmuese të shtresës intelektuale dhe të mediave në gjuhën shqipe, me zhvendosjen nga interesi i përgjithshëm kombëtar në interes të klaneve politike mafioze, duke i komprometuar dhe kapur ato përmes korrupsionit, nepotizmit dhe veprimtarive kriminale, që si të tilla t’u shërbejnë interesave të huaja strategjike. Ka shumë arsye që populli shqiptar në Maqedoni të rizgjohet dhe lëvizja politike të vihet në shërbim të misionit të shenjtë kombëtar, për sigurimin e lirisë, barazisë, mirëqenies, progresit dhe perspektivës evropiane të popullit shqiptar në shtetin e tyre në Maqedoni.

1. Domosdoshmëria e largimit nga skena politike e klaneve kriminale, e politikanëve të korruptuar, e bashkëpunëtorët e ish regjimit komunist dhe e agjentëve të shërbimeve të huaja sekrete që punojnë për kauza të huaja politike dhe fetare

Gati përherë ndër shqiptarët, atdhetarët e vërtetë, veprimtarët e përkushtuar dhe inteletualët e shquar kanë sakrifikuar gjithçka duke punuar në heshtje për popullin dhe me popullin, për liri e përparim, për komb dhe atdhe; ndërsa mercenarët dhe tradhtarët në shërbim të interesave të huaja e kanë zbatuar filozofinë serbe dhe greke të mashtrimit, duke bërtitur me zë të lartë në emër të vlerave kombëtare, të lirisë, kombit, flamurit, gjuhës dhe atdheut, kinse për demokraci e përparim, sa për të ardhur në pushtet që t’u shërbejnë interesave të huaja, për të cilët ka një mal me dëshmi nga agjenturat e huaja të fshehta, sidomos në arkivat e Beogradit, Sofjes, Moskës, Athinës dhe Stambollit.

Propaganda dhe literatura ideologjike në shërbim të këtyre grupeve dhe lëvizjeve reaksionare e armiqësore ndër shqiptarët ka bërë shpërlarjen sistematike të trurit të një pjese të madhe të shqiptarëve, sidomos gjatë regjimit komunist, saqë edhe sot është tepër vështirë të kapen fijet e kësaj propagande dhe të këtij mashtrimi, prandaj, edhe aktualisht pjesa më e madhe e shqiptarëve, të mashtruar dhe detyruar për çështje ekzistence, në emër të këtij atdhetarizmi të rrejshëm vazhdojnë t’u besojnë dhe shërbejnë këtyre klikave, politikave dhe lëvizjeve reaksionare, me këtë duke u shërbyer armiqve tradicionalë të shqiptarëve, duke e ngulfatur të vërtetën historike dhe aktuale dhe duke e penguar rrugën e drejtë nga duhet të orientohen shqiptarët në të ardhmen, për përparimin e gjithmbarshëm të kombit dhe forcimin e shteteve të tyre.

Hulumtoni dhe analizoni gjurmët e këtyre zuzarëve, të kaluarën, veprimtarinë, sidomos financimin e këtyre lëvizjeve politike ndër shqiptarët, të cilat vijnë kryesisht nga Beogradi e Athina, Moska e Teherani (përmes Stambollit e Katarit), që ta keni më të qartë të sotmen dhe të ardhmen, perspektivën e lëvizjes politike dhe nevojën e riorientimit dhe riorganizimit të saj, domosdoshmërinë e rrënimit nga themelet të kësaj kështjelle të turpit e krimit, të mashtrimit e tradhtisë, për ta ndërtuar kalanë e fortë të qëndresës dhe rrugën e drejtë të zhvillimit e përparimit të lëvizjes politike kombëtar të shqiptarëve, si në Tiranë, Prishtinë, Shkup dhe kudo në botën shqiptare.

Nëse armiqtë e shqiptarëve kanë arritur t’i bindin (mashtrojnë), financojnë dhe organizojnë që para pesë shekujve, Moisi Golemët, Hamzë Kastriotët dhe Ballaban Pashët, kundër Skënderbeut, kundër Arbërisë dhe qenies shqiptare, pse nuk mundin këtë ta bëjnë edhe sot? Por kush janë Moisitë, Hamzatë dhe Ballabanët e sotëm në politikën dhe shtetbërjen tonë?!

Nëse para një shekulli, armiqtë tanë kanë arritur t’i bindin (blejnë e mashtrojnë), financojnë dhe organizojnë tipat e Esat Pashë Toptanit dhe Haxhi Qamilëve me shokë, pse nuk kanë mundur këtë edhe më vonë, ta bëjnë edhe sot? Por, kush janë Esat Pashë Toptanët dhe Haxhi Qamilët e sotëm në politikën dhe shtetbërjen e popullit shqiptar?!

Nëse para gjysmë shekulli, armiqtë tanë kanë arritur t’i bindin (blejnë, shntazhojnë e mashtrojnë), financojnë dhe organizojnë, tipat si Ali Shukriu, Sinan Hasani, Rrahman Morina, Sejdo Bajramoviçi me shokë, pse nuk kanë mundur ta bëjnë këtë më vonë, sigurisht edhe sot? Por, kush janë Sinan Hasanat, Ali Shukritë, Rrahman Morinat dhe Sejdo Bajramoviçët e sotëm në politikën dhe shtetbërjen e popullit shqiptar, si në Tiranë, Prishtinë, Shkup, në trojet etnike dhe në botën e jashtme ku jetojnë e veprojnë shqiptarët?!

Çka duhet të mësojmë nga përvoja e hidhur e derisotme? A kanë pushuar pretendimet e armiqve tanë shekullorë, sidomos të disa shteteve fqinje, për mbajtjen nën kontroll të lëvizjes politike të shqiptare dhe dobësimin e faktorit shqiptar, mbajtjen edhe më tej nën okupim e sundim të trojeve tona etnike, apo është trashur e topitur kujtesa e jonë historike, me këtë edhe është shuar përgjegjësia jonë për mbrojtjen e qenies kombëtare dhe nevoja për ruajtjen dhe forcimin e vazhdimësisë së lëvizjes së shëndoshë politike me frymë kombëtare ndër shqiptarët, sidomos në trojet etnike jashtë shteteve shqiptare?!

2. Shqiptarët në Maqedoni janë popull autokton dhe shumicë në trojet e veta etnike

Me krijimin e Republikës së Maqedonisë në vitin 1944, sidomos pas pavarësimit si shtet i mëvetësishëm në vitin 1991, e deri më sot, e tërë strategjia e aparatit shtetëror të saj ka qenë e orientuar në pengimin e zhvillimit normal të popullit shqiptar, si përbërës kryesor i këtij shteti, e sidomos në mosnjohjen e statusit juridik-kushtetues e politik, i cili sipas të drejtës ndërkombëtare u takon popujve që përbëjnë shumicë të konsiderueshme në një shtet me përbërje të përzier të popullsisë.

E drejta e natyrshme e popullit shqiptar për të qenë element konstituiv (shtetformues) në këtë shtet, para së gjithash mbështetet, sipas të drejtës etnike dhe historike, në autoktoninë, numrin e popullsisë dhe vazhdimësinë e përpjekjeve për krijimin e këtij shteti, si dhe në fakte të tjera të pakontestueshme.
Me Marrëveshjen e Bukureshtit, të njohur si marrëveshje e paqes mes palëve ndërluftuese në Luftën e Dytë Ballkanike, të nënshkruar më 10 gusht 1913, mes Serbisë, Malit të Zi, Rumanisë dhe Greqisë, në njërën anë, dhe Bullgarisë në anën tjetër, territori gjeografik i njohur me emrin Maqedoni u nda në atë mënyrë që, pjesën më të madhe të tij, përkatësisht pjesën e ashtuquajtur Maqedonia e Egjeut, me sipërfaqe prej 34.356 km2 e morri Greqia, pjesën e Maqedonisë së Vardarit, me sipërfaqe prej 25.342 km2, e morri Serbia, ndërsa pjesa e quajtur Maqedonia e Pirinit, me sipërfaqe prej 6.798 km2 iu dha Bullgarisë.

Duke pasur parasysh se pjesa më e madhe e territorit të njohur historikisht me emrin Maqedoni, përkatësisht, pjesa e quajtur Maqedonia e Egjeut, aktualisht është pjesë e territorit shtetëror të Republikës së Greqisë, prandaj, ky shtet e ka ngritur kontestin mes dy shteteve fqinje për legjitimitetin e përdorimit të emrit Maqedoni, i cili nuk ka gjetur ende zgjidhje, edhe përkundër ndërmjetësimit ndërkombëtar në nivel të Kombeve të Bashkuara, që nga viti 1993 e deri më sot.

Në Republikën e Greqisë, njëri prej 13 rajoneve të saj, sipas ndarjes territoriale të vitit 20111, e mban emrin Maqedoni.
Lëvizja kombëtare maqedonase kishte synim krijimin e autonomisë nën Perandorinë Osmane kryesisht në Maqedoninë e Egjeut me kryeqytet Selanikun. E tërë lëvizja e ashtuquajtur Rilindje kombëtare maqedonase dhe përpjekjet për çlirim dhe bashkim kombëtar të sllavëve të Maqedonisë, goditjen vdekjeprurëse e ka marrë pikërisht me ndarjen e Maqedonisë në Konferencën e Bukureshtit, sepse pjesa më vitale e këtij etniteti në formim e sipër u ngulfat bashkë me pjesën më të madhe të saj, Maqedoninë e Egjeut, duke marrë parasysh se, e gjithë kjo lëvizje autonominë e vet nën Perandorinë Osmane e shihte kryesisht në këtë territor, duke pretenduar Selanikun si kryeqytet, ku edhe u themelua organizata më e fuqishme nacionale e kësaj lëvizje, Organizata e Brendshme Revolucionare Maqedonase, në vitin 1893.

Nga udhëheqësit e lëvizjes nacionale maqedonase nuk është pretenduar asnjëherë krijimi i shtetit të tyre të ardhshëm në territorin ku më vonë u krijua Republika e Maqedonisë, të cilën e realizoi lëvizja komuniste e sllavëve në Ballkan, me përkrahjen e Internacionales komuniste, Kominternës.

Pjesa më e madhe e territorit ku u krijua Maqedonia si shtet e përbëjnë trojet etnike shqiptare. Republika e sotme e Maqedonisë ka një sipërfaqe prej 25.713 km2, që domethënë se, ky territor për nga sipërfaqja nuk ka ndryshuar nga sipërfaqja e pjesës së ndarë, të quajtur Maqedonia e Vardarit, nga Marrëveshja e Bukureshtit e deri më sot.

Në pjesën e njohur si Maqedonia e Vardarit, republika me emrin Maqedoni arriti të formohet për herë të parë në kuadër të ish Federatës Jugosllave (1944), ndërsa me shkatërrimin e kësaj federate, pas shpalljes së pavarësisë së këtij vendi në vitin 1991, Republika e Maqedonisë mbeti po me atë territor që kishte më parë, i cili nuk përbën më tepër se 1/3 e territorit të përgjithshëm të Maqedonisë gjeografike, ose afërsiht 37% e rajonit gjeografik me emrin Maqedoni.

Historikisht, territori gjeografik me emrin Maqedoni në asnjë periudhë historike, para krijimit të ish Republikës Jugosllave të Maqedonisë, më 1944, nuk ka përfshirë territore më sipër qytetit të e sotëm të Shtipit, në anën veriore.

Jo rastësisht, beteja më e madhe mes kryengritësve shqiptarë të udhëhequr nga Dervish Cara me forcat e Perandorisë Osmane, u zhvillua afër Katllanovës, aty ku mbrohej kufiri lindor i shtetit etnik shqiptar, të cilin pretendonin ta krijojnë udhëheqësit e kësaj kryengritje, një nga më të mëdhatë në historinë e popullit shqiptar në bazë të territorit që përfshiu ajo dhe të tokave të çliruar me këtë kryengritje, gjatë viteve 1843-1844.

Manastiri, kryeqyteti i njërit nga katër Vilajetet autonome shqiptare nën Perandorinë Osmane, djepi i Alfabetit të njësuar të gjuhës shqipe dhe vatra e çetave të para kryengritëse për çlirimin e Shqipërisë dhe pavarësinë e saj; si dhe Shkupi, kryeqyteti i dikurshëm i Dardanisë dhe kryeqyteti i Vilajetit më të madh shqiptar, i cili disa herë u çlirua nga shqiptarët, nuk arriti t’u përballojë trusnive të pushtuesve dhe terrorit në fillim të shekullit njëzetë dhe intrigave të fuqive të mëdha, prandaj, nga qyteti më i madh shqiptar në gadishull mbeti sot e kësaj dite vetëm simbol i shenjtë i krenarisë tonë kombëtare, por edhe arenë e betejave të reja politike në të ardhmen.

Republika e sotme e Maqedonisë u krijua në territoret etnike shqiptare, të cilat përfshijnë më tepër se gjysmën e territorit të këtij shteti, edhe atë: Fusha e Shkupit, ku shtrihet qyteti i Shkupit dhe qyteti i Kumanovës me rrethinat e tyre; Fusha e Pellagonisë, me qendër qytetin e Manastirit; Fusha e Pollogut, me qendër qytetin e Tetovës; si dhe Fushëgropa e Ohrit, me qendër qytetin e Ohrit.

Sipas shtrirjes territoriale të Republikës së sotme të Maqedonisë në pjesën më të madhe në trojet etnike shqiptare, numri i banorëve të këtij shteti me përkatësi etnike shqiptare nuk është në përputhje me sipërfaqen e këtij territori, edhe atë, për shkaqe të njohura dhe të panjohura.

3. Strategjia e zvogëlimit të numrit të shqiptarëve në Maqedoni dhe tkurrja e hapësirës etnike të tyre

Faktorët që ndikuan në zvogëlimin e numrit të popullsisë shqiptare, në krahasim me popullsinë tjetër joshqiptare në Republikën e Maqedonisë, janë:

1. Represioni i vazhdueshëm i pushtuesve serbë dhe bullgarë dhe shpërngulja e shqiptarëve nga këto territore, sidomos gjatë luftërave ballkanike dhe dy luftërave botërore;

2. Shpërngulja me dhunë e mbi 300 mijë shqiptarëve për në Turqi, sidomos në gjysmën e dytë të shekullit XX;

3. Asimilimi i popullsisë shqiptare të besimit ortodoks dhe katolik;

4. Sjellja e dhjetëra mijë sllavëve të shpërngulur me dhunë në fund të Luftës së Dytë Botërore nga terrori i shtetit grek, dhe ,,riatdhesimi” i tyre në Maqedoni, kryesisht në vendbanimet me popullsi shqiptare, gjatë viteve të ’70-ta dhe ’80-ta të shekullit të kaluar;

5. Tkurrja e vazhdueshme e trojeve etnike shqiptare, në pjesën veriore dhe perëndimore të Maqedonisë, me strategji afatgjatë, gjatë gjysmës së dytë të shekullit XX e deri në ditët e sotme, duke e shfrytëzuar me mjeshtëri heshtjen e udhëheqësve politikë nga radhët e shqiptarëve në Maqedoni dhe të drejtuesve të Republikës së Shqipërisë;

6. Boshatisja e rajonit të Mariovës, i cili përbën afër 10% të territorit të përgjithshëm të Maqedonisë, por edhe nga disa rajoneve të tjera në lindje të vendit, dhe vendosja e këtyre banorëve në qytetet me shumicë të popullsisë shqiptare, sidomos në qytetet: Shkup, Manastir, Ohër, Tetovë, Kumanovë etj., me qëllim të ndryshimit të strukturës etnike të popullsisë në dëm të shqiptarëve. Ky proces është zhvilluar në mënyrë sistematike dhe me strategji të veçantë gjatë disa dekadave të fundit, sidomos pas tërmetit të vitit 1963 dhe rindërtimit të Shkupit me ndihma ndërkombëtare;

7. Këtë e dëshmon edhe dendësia e popullsisë sipas rajoneve të këtij shteti, ku shihet qartë se në pjesët e boshatisura nga popullsia e zhvendosur në pjesë të tjera të vendit, ajo është 0,7 banorë/km², siç është rajoni i Mariovës, kurse në rajonet me shumicë të popullsisë shqiptare kjo dendësi arrin edhe mbi 850 banorë/km², siç është rajoni i Pollogut;

8. Ky diskriminim mes rajoneve nuk ekziston as në shtetet që përfshijnë pjesë të shkretëtirës së Saharës, prandaj nuk duhet të tolerohet në shtetet që pretendojnë ta quajnë veten demokratike, veçanërisht kur këtë e bëjnë me motive politike primitive;

9. Disa parametra real tregojnë qartë se popullsia shqiptare përbën afër 40 % të numrit të përgjithshëm të popullsisë në Republikën e Maqedonisë. Mbase kjo edhe duhet të jetë arsyeja kryesore pse nuk bëhet regjistrimi i popullsisë në këtë shtet.

Regjistrimi i fundit është realizuar në vitin 2002, i cili ka krijuar dyshime të mëdha në rregullsinë e realizimit të këtij operacioni statistikor, sidomos në lidhje me numrin e popullsisë shqiptare.
Duke marrë parasysh këto fakte, Republika e Maqedonisë nuk mund të mbijetojë në asnjë rrethanë si shtet nacional vetëm i popullit maqedonas, por ai duhet të jetë shtet nacional edhe i popullit shqiptar, i cili është autokton në këtë territor, ka vazhdimësi në traditën e formimit të këtij shteti, përbën shumicë të konsiderueshme dhe luan rol të rëndësishëm në stabilitetin e vendit dhe ruajtjen e paqes dhe sigurisë në rajon.

4. Pse duhet të diskriminohen shqiptarët në Maqedoni në emër të integrimeve globale, evropiane dhe evroatlantike?

Shitja e interesit kombëtar të shqiptarëve në Maqedoni dhe sakrifikimi i të drejtave të ligjshme për barazi kombëtare, ruajtja e identitetit, pranimi dhe afirmimi i të vërtetës historike, i trashëgimisë kulturore, i gjuhës amtare shqipe dhe veçorive të tjera kombëtare të popullit shqiptar, përmes ndryshimeve të reja kushtetuese, kinse për interesa më të mëdha strategjike, për anëtarësimin e shtetit të Maqedonisë Veriore në NATO dhe BE, ndërkohë që këto kushte asnjëherë nuk i ka parashtruar faktori ndërkombëtar, NATO dhe BE, dhe as kushtëzohen me Marrëveshjen e Prespës për ndryshimin e emrit të shtetit, përbën tradhti kombëtare dhe pazar politik tinëzar mes disa partive politike të shqiptarëve me pushtetin aktual në Maqedoni, dhe me këtë dëmtohen edhe proceset demokratike në vend, bashëkejetesa mes popujve, mes bashkësive etnike dhe qytetarëve me përkatësi të ndryshme etnike dhe fetare, stabiliteti dhe paqa në vend dhe rajon, ardhmëria evropiane e Maqedonisë dhe e shteteve të tjera të rajonit.

5. Ndryshimet e reja kushtetuese, të pamatura dhe të vlerësuara gabimisht, janë në kundështim me realitetin në Maqedoni dhe e dëmtojnë rëndë interesin kombëtar të shqiptarëve dhe të ardhmen e tyre në këtë shtet

Ndryshimet e reja kushtetuese në Maqedoni, të pamatura dhe të planifikuara gabimisht, janë në kundështim me realitetin historik dhe aktual të vendit, i dëmtojnë interesat kombëtare të shqiptarëve dhe perspektivën e tyre në këtë shtet, si dhe të ardhmen evropiane të Maqedonisë.

Partitë politike të shqiptarëve dhe pushteti aktual në Maqedoni, para se të vendosin për ndryshimet e reja kushtetuese me të cilat planifikohet që shqiptarëve t’u betonohet statusi i pakicës kombëtare me Kushtetutë, duhet t’u japin përgjigje publike qytetarëve shqiptarëve, opinionit vendës dhe faktorit ndërkombëtar, së paku për këto çështje:

1. Pse duhet të degradohet statusi juridik-kushtetues dhe politik i popullit shqiptar, të cilin shqiptarët e kanë pasur të garantuar edhe me kushtetutën e vitit 1974, kur kjo është në kundërshtim edhe me parimet e së drejtës ndërkombëtare?

2. Pse duhet të trajtohen shqiptarët si pakicë kombëtare, kur ata janë popull i vetëm autokton, jetojnë në vazhdimësi historike dhe gjeografike në trojet e veta etnike në Maqedoni, përbëjnë shumicë të konsiderueshme dhe kanë kontribuar për çlirimin, krijim dhe ndërtimin e këtij shteti, ndoshta edhe më tepër se popujt tjerë?

3. Pse gjuha shqipe nuk mund të jetë zyrtare në Maqedoni, por gjuhë e qytetarëve prej 20%, e qytetarëve numër, përqindje dhe pa identitet?

4. Pse flamuri kombëtar shqiptar në Maqedoni, që me ligj ka qenë i rregulluar përdorimi i tij që nga viti 1973, nuk mund të përdoret lirisht nga qytetrët shqiptarë të këtij shteti ku ata nuk përbëjnë shumicë mbi 50% dhe, pse madhësi e këtij flamuri është zvogëluar me ligj për 1/3 e tij, e që përbën presedan të llojit të veçantë në të drejtën ndërkombëtare dhe traditat demokratike evropiane?

5. Pse simbolet e shtetit të përbashkët të Maqedonisë, himni, stema dhe flamuri shtetëror, nuk e pasqyrojnë realitetin shumetnik, shumkonfesional dhe shumëgjuhësor të këtij shteti?

6. Pse duhet t’u imponohet edhe shqiptarëve në Maqedoni që t’i përmbushin detyrimet e qeverisë së këtij shteti ndaj Marrëveshjes për bashkëpunim, mirëkuptim dhe fqinjësi të mirë me Bullgarinë, si dhe ndaj Marrëveshjes së Prespër me Greqinë për ndryshimin e emrit të shtetit, me të cilat marrëveshje trajtohen çështje për rishqyrtimin e historisë, të gjuhës, kulturës dhe identitetit të popullit maqedonas, dhe që me asgjë nuk kanë lidhje me historinë, autoktoninë, kulturën, gjuhën dhe veçoritë kombëtare të popullit shqiptar në Maqedoni?

7. Pse deri më sot, me asnjë akt, deklaratë zyrtare, pushteti në Maqedoni nuk u ka kërkuar së paku falje shqiptarëve, nuk është distancuar nga e kaluara e turpshme dhe armiqësore, nga krimet dhe gjenocidi i ushtruar nga ish regjimet mbi shqiptarët në Maqedoni?

8. Pse pushteti aktual në Maqedoni, për t’i sunduar më lehtë shqiptarët, vazhdimisht përkrah, avancon dhe mban në pushtet, individë, grupe dhe klane politike të komprometuara, të dyshuara për korrupsion dhe krime, individë dhe grupe me të kaluar komuniste, përderisa ai regjim është dënuar së paku me dy rezoluta nga Kësgilli i Evropës, si regjim i cil ka kryer krime kundër njerëzimit, sikurse edhe regjimi fashist?

9. Pse në njësitet speciale të ushtrisë dhe policisë, të cilat financohen edhe me paratë e qytetarëve shqiptarë, nuk mund të përfaqësohen në mënyrë të drejtë, të barabartë, proporcionale dhe adekuate, ndërkohë që po këto njësi janë përdorur shpeshherë që nga pavarësimi i këtij shteti, në të gjitha proceset e montuara politike ndaj shqiptarëve dhe në të gjitha ekspeditat policore dhe ushtarake ndëshkuese ndaj shqiptarëve, për shuarjen dhe dhunë e hekur të përpjekjeve të popullit shqiptar për liri dhe barazi, për të drejta kombëtare, për përdorimin e flamurit kombëtar, për të drejtën e arsimimit universitar në gjuhën amtare dhe të drejta të tjera qytetare e kombëtare?

10. Pse qytetarët shqiptarë përherë janë trajtuar si njerëz të dyshimtë nga të gjitha pushtetet e derisotme, si „armiq“ të shtetit, dhe si të tillë nuk u lejohet inkuadrimi dhe përfaqësimi i drejtë i tyre në Entin Shtetëror të Statistikës, në disa sektorë të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe në institucione të tjera ku bëhen planifikime strategjike dhe zhvillimore në interes të qytetarëve dhe të shtetit?

11. Pse vetëm në Maqedoni, krimet, vrasjet, helmimet (helmimi masiv i nxënësve të shkollave të mesme, helmimi me mbetje radioaktive nga kombinati Jugohrom etj.), burgosjet me procese të montuara politike, torturat dhe shpërnguljen në masë të shqiptarëve vendës (më herët në Turqi dhe aktualisht në shtetet evropiane), pushteti duhet t’i trajtojë vetëm si statistikë dhe jo si shkelje të rënda të të drejtave të njeriut dhe si krime kundër njerëzimit?

12. Pse shqiptarët edhe më tej në këtë shtet vazhdojnë të trajtohen si numra, përqindje, e jo si qytetarë me të drejta të barabarta, si popull shtetformues në shtetin e tyre në Maqedoni, gjuha e tyre amtare shqipe si gjuhë zyrtare, jo vetëm nga pushteti, por edhe me fajin e politikanëve shqiptarë vasalë, të kapur nga pushteti, individë me dosje të trasha të korrupsionit dhe krimeve, mercenarë ordinerë të cilët nuk ia duna të mirën popullit të tyre, jo më popujve fqinj, të cilëve mund t’ua shesin interesat si karamele tek çdo armik i mundshëm?!

Loading...