Barcelona e siguroi një fitore tejet të rëndësishme, në kuadër të La Ligës, kundër Sevillës, falë Lionel Messit që i shënoi tri gola dhe e bëri një asist, mirëpo edhe falë paraqitjes së mirë të qendërmbrojtësit Gerard Pique.
Megjithatë, menjëherë pas ndeshje, vëmendja e lojtarëve dhe tifozëve të Barcelona u kthye te ndeshja kundër Real Madridit, në Santiago Bernabeu, në kuadër të Kupës së Mbretit, transmeton Gazeta Express.

Real Madridi është ankuar që e ka një ditë më pak pushim se Barcelona para kësaj ndeshjeje, mirëpo Pique e theksoi se herën e fundit që Real Madridi e kishte një ditë më shumë pushim se katalonasit, ata kishin humbur me rezultat 5:1, në tetor.

“Nëse e mbaj mend saktësisht, ata e patën një ditë më shumë pushim se në pjesën e parë të sezonit dhe ne e fituam atë ndeshje me rezultat 5:1”, ka thënë Pique.

“Ata do të jenë të emocionuar që do të luajnë kundër nesh dhe ne do të bëjmë gjithçka që mundemi për të arritur në finale”.

Ndeshja e parë e gjysmëfinales së Kupës së Mbretit, mes Real Madridit dhe Barcelonës, kishte përfunduar me rezultat 1:1, në Camp Nou. Ndërsa, ndeshje kthyese do të zhvillohet të mëkurën, në Santiago Bernabeu.