Qyteti Namyr në Belgjikë ka histori shumëshekullore, mirëpo historia e ardhjes më masovike të shqiptarëve në këtë qytet fillon nga fundi i viteve të tetëdhjeta dhe fillimi i viteve të nëntëdhjeta. Edhe pse vijnë nga pjesë të ndryshme të trojeve shqiptare në Ballkan, pikë takimi për shumicën e tyre është klubi shqiptar “Plisi”.
Kryetari i klubit është Mitat Avdiu, nga fshati Opajë i komunës së Likovës. Ai thotë se natyra e veprimit të klubeve shqiptare në vendet perëndimore po ndryshon me kalimin e kohës. Tani nuk shërbejnë vetëm për ruajtjen e identitetit, por edhe për organizim me qëllim të zhvillimit të bizneseve të përbashkëta. Sipas tij, vetëm në këtë mënyrë, shqiptarët mund t’a përballojnë konkurencën.

Shqiptarët e Belgjikës në përgjithësi, e ata të Namyrit në veçanit, nuk janë më qytetarë të cilët mbijetojnë kryesisht nga ndihmat sociale shtetërore. Ata dita ditës kyçen në të gjitha sektorët e punimeve që bëhen, kurse në disa degë të ndërtimtarisë kanë arritur të marrin primatin.

Menaxheri i lokalit ku është selia e klubit, Adnan Ismani, thotë se qëllimi për hapjen e tij ka qenë të tregojnë se shqiptarët integrohen në shoqëritë perëndimore, por njëkohësisht ruajnë edhe traditën e tyre.

Në këtë klub takuam edhe Shemsedin Azirin nga Kumanova. Bëhet fjalë për inxhinierin e mirënjohur shqiptar në Belgjikë, që udhëheq kompani me rreth 200 të punësuar, e cila vazhdimisht është e angazhuar në projektet më të mëdha evropiane dhe botërore. Në intervistën për Lajm.Tv ai sqaron profilin e kompanisë dhe angazhimet e saj.

Falë punës së palodhshme, ai ka arritur që nga një kompani të vogël lokale, tani të udhëheqë një kompani që zhvillon projekte në të gjitha kontinentet.

Shqiptarë takojmë edhe edhe në qytetin e afërt Liezh. Çdo vikend krijohet atmosferë
festive në klubin e shqiptarëve në këtë qytet me emrin “Vranina”. Drejtues i klubit është Xhavit Balidemaj, nga Kelmendi i Plavës e Gucisë.

Në këtë atmosferë vikendi, e intervistuam edhe Qazmedin Halitin nga fshati Sllupçan. Ai jeton gati 30 vite në Belgjikë, por zemrën ende e ka në Sllupçan. “Ende qaj për fshatin tim të lindjes”, thotë qazmedini në deklaratën për Lajm. Tv.

Në këtë klub takon njerëz tanë nga të gjitha trojet shqiptare nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia, e nga Lugina. Malli për vendlindjen i bën bashkë të gjithë.

Edhe pse jetojnë larg, zemra e tyre është në vendlindje. Prandaj edhe porositë e mërgimtarëve për unitet duhet kuptuar seriozisht. Duke jetuar vazhdimisht me mall e dhimbje për vendlindjen, ata e dinë më së miri se sa e vlefshme është toka ku të ka rënë koka.