Artim Pollozhani mund të ketë realizuar një prej golave më të bukur të karrierës së tij ndaj Kukësit. Flasim për një mesfushor i cili më 25 qershor do të mbushë 37 vjeç dhe jo për një sulmues. Në minutën e 49-të, shqiptari nga Maqedonia mahniti me një lëvizje fantastike në zonën e Kukësit, duke përshëndetur rrjetën. Festa zgjati shumë pak, pasi Olsi Sokoli sinjalizoi lojë të rrezikshme. Shikoni vetë pamjet dhe gjykoni, por e sigurt është se lojtari i kuqezinjve do ta mbajë mend këtë gol të anuluar, i cili ishte spektakolar. A duhej të anulohej goli? në Shqipëri të gjithë jemi të aftë të gjykojmë një rast të tillë!

Më pas anulimi i golit të Artim Pollozhanit ka sjellë polemika të shumta. Në media ka pasur krahasime të ndryshme, qoftë edhe me golin e Kristiano Ronaldos kundër Juventusit. Në fakt situata është tjetër në të dy golat. Edhe klubi vlonjat e ka sjellë në vëmendjen e sportdashësve atë realizim të portugezit duke këmbëngulur që ai vendim i Sokolit ka qenë i gabuar.

 

Një mendim në lidhje me golin e anuluar e ka dhënë edhe ish-arbitri i FIFA-s, Lorenc Jemini. “Është rasti më i përfolur, unë them që është faull. Është lojë e rrezikshme. Këtu thuhet, ‘anulohet ky lloj goli’. Ka edhe lloj-lloj paralelizmi me golin e Ronaldos, që s’ka lidhje. Nëse hynte me kokë, nuk ka faull. Quhet lojë e rrezikshme, edhe pse nuk ka kontakt. Është faull. Nuk luhet në zonën e kokës me këmbë. Nëse ngre takën te fytyra, është faull. Rastin ua kam nisur edhe dy vëzhguesve të huaj dhe më thanë edhe ata që kemi të bëjmë me lojë të rrezikshme”, tha mes të tjerash Jemini në emisionin “Procesi Sportiv” në Top Channel.