Sekretari i Shtetit i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), Mike Pompeo bëri një vizitë të papritur në kryeqytetin irakian Bagdad, tha një zyrtar i Ministrisë së Jashtme të Irakut për AA.

Pompeo aktualisht është duke zhvilluar një vizitë në Lindjen e Mesme me qëllim të sigurimit të aleatëve rajonalë të Washingtonit për mbështetjen e vazhdueshme të SHBA-së, përkundër tërheqjes së planifikuar të trupave amerikane nga Siria.

Sipas burimit, i cili foli në kushte anonimiteti, Pompeo ka takuar tashmë kryetarin e parlamentit irakian Mohamed al-Halbusi, dhe së shpejti pritet të takojë kryeministrin Adil Abdul-Mahdi dhe zyrtarë të tjerë të lartë dhe figura politike.

Në takim mund të diskutohet lufta kundër organizatës terroriste DEASH dhe prania aktuale e trupave amerikane në Irak.

Pompeo vizitoi Jordaninë të martën si ndalesa e parë e një turneu të gjerë në rajon, i cili është paraparë të përfshijë edhe Arabinë Saudite, Katarin, Emiratet e Bashkuara Arabe, Egjiptin, Bahreinin, Omanin dhe Kuvajtin.

Iraku nuk ishte i përfshirë në itinerarin fillestar të Pompeos.