Presidenti në Maqedoninë e Veriut ka funksione të kufizuara pasi vendi është republikë parlamentare, por puna e presidentit aktual, Gjorge Ivanov, ka dëshmuar se edhe me kompetenca të kufizuara, ai mund të bllokojë procese apo vendime, siç ishte rasti me dekretimin e Ligjit për përdorimin e gjuhëve, apo marrëveshjeve që ka arritur Qeveria, edhe pse Kushtetuta parasheh kufizime se deri në çfarë faze mund të bllokojë fuqizimin e tyre, shkruan REL.

Edhe pse të vetëdijshëm se kompetencat nuk i lënë hapësirë për manovrime, edhe kandidatët për presidentë kanë dalë me premtime që në esencë janë të parealizueshme.

“Së pari do të hap çështjen për ndryshimin e Kushtetutës. Akti më i lartë juridik tek ne, nuk mundëson shtet demokratik funksional. Unë nuk e kam pranuar dhe nuk ta pranojë asnjëherë Marrëveshjen e Prespës dhe për mua emri Maqedonia e Veriut nuk ekziston. Asnjëherë, në asnjë komunikim nuk do ta përdor këtë emër, pasi për mua emri i vetëm është dhe do të jetë Republika e Maqedonisë”, ka deklaruar Gorgana Siljanovska, kandidate për presidente nga radhët e VMRO-DPPMNE-së.

Ajo ka thënë se motoja e gjithë fushatës së saj do të përqendrohet në siç thotë gabimet e qeverisë së tanishme, tradhtia e apo heqja dorë nga identiteti përmes Marrëveshjes së Prespës. Ngjashëm sikur lideri i partisë, Hristijan Mickovski, edhe Siljanovska ka thënë se angazhohet për zhbërjen e kësaj marrëveshjeje edhe pse nuk është në kompetencë të presidentit sikur edhe ndryshimi i Kushtetutës, të cilën ajo e paralajmëron si pikë të parë të angazhimit të saj nëse zgjidhet presidente.

Angazhimet e kandidatit të LSDM-së, BDI-së dhe partive tjera në pushtet, Stevo Pendarovski janë diametralisht të kundërta me ato të kandidates së opozitës.

“Ne objektivisht do të zgjedhim mes asaj nëse Maqedonia do të vazhdojë të ecë rrugës që po bënë këto dy vitet fundit, apo do të kthehemi në errësirë, aty ku kishin shtetin e robëruar. Të kontestosh Marrëveshjen e Prespës, të kontestosh anëtarësimin e vendit në NATO, të kontestosh ligjin për gjuhën i cili besoj se i ndihmon bashkësisë etnike shqiptare që ta ndjejë këtë shtetit të vetin, faktikisht dëshmon qartë se ti dëshiron kthimin e vendit aty ky ishte, në izolim dhe në pa perspektivë”, ka deklaruar Stevo Pendarovski, kandidat për president i partive në pushtet duke premtuar realizimin e plotë të marrëveshjes për emrin edhe pse ky dokument, apo zbatimi i tij është në kompetencë të Qeverisë.

Pendarovski gjithashtu ka thënë se do të angazhohet “për jetë për të gjithë”, një slogan i njohur i LSDM-së për ngritjen e cilësisë së jetës, zhvillimin ekonomik, sundimin e së drejtës e çështje tjera që janë premtime të Qeverisë.

Kandidati i opozitës shqiptare, Blerim Reka, në paraqitjen para mediave ka thënë se motoja e tij dallon nga ajo e dy kandidatëve të tjerë. Ai nuk do të kontestojë Marrëveshjen e Prespës, përkundrazi do të punojë për realizimin e saj, por edhe të Marrëveshjes së Ohrit dhe se do të angazhohet për shtet për të gjithë.

“Në krahasim me kandidaturën e Pendarovskit, i cili thotë ka moton “shoqëri për të gjithë”, unë dalloj prej tij se shteti është për të gjithë. Nuk mjafton shoqëri për të gjithë që qytetarët të jenë të barabartë. Republika e Maqedonisë së Veriut është e të gjithëve, është shoqëri shumetnike për nga demografia, por fatkeqësisht as në vitin 2019 nuk është shtet shumëetnik nga forma. Sa i takon kandidaturës së profesoreshës Siljanovska, dalloj nga poentat që ajo i potencon në fushatën e saj, se ajo është kundër marrëveshjes së Ohrit dhe Prespën. Unë përkundrazi them se marrëveshja e Prespës është zgjidhje”, ka deklaruar Blerim Reka, kandidat për president që mbështet nga opozita shqiptare.

Fushata për zgjedhjet presidenciale nis më 1 prill dhe do të zgjas 20 ditë. Nëse në rrethin e parë asnjëri nga kandidatët nuk fiton mbi 50 për qind të votave, atëherë në rrethin e dytë më 5 maj garojnë dy kandidatët me shumicë votash, ndërsa pragu zgjedhor i daljes së qytetarëve në votime ulet në 40 për qind me qëllim evitimin e dështimit të zgjedhjeve./REL