Këshilli Qendror i LSDM-së në seancën e fundit ka marrë vendim që të publikojnë thirrje të hapur për vetëkandidim për kandidatët për zgjedhjet presidenciale.

Në shpallje janë theksuar katër kritere që kërkohen nga kandidatët. Të jetë person me reputacion të lartë shtetëror, të jetë i aftë për kryerjen e funksioneve të larta shtetërore, të gëzojë besimin e anëtarësisë dhe mbështetësve të LSDM-së si dhe të jetë person që në mënyrën më të mirë do ta rigjallërojë politikën e LSDM-së dhe do të punojë në realizimin e prioriteteve strategjike të Republikës së Maqedonisë – anëtarësimi i plotë në NATO dhe BE, si dhe afirmim ndërkombëtar dhe promovim të Republikës së Maqedonisë.

Afati për paraqitje të kandidatëve është deri më 19 shkurt, ku aplikimet do të dorëzohen tek bordi ekzekutiv i LSDM-së.

Nga LSDM kanë paralajmëruar se deri në fund të javës do të mbahet edhe seancë të Bordit Ekzekutiv që të sillet vendim përfundimtar nëse do të ketë zgjedhje të parakohëshme parlamentare së bashku me ato presidenciale, siç kërkon VMRO-DPMNE. Ata po ashtu kanë paralajmëruar se emri i kandidatit për president do të publikohet me 3 mars dhe jozyrtarisht në opinion sillen tashmë emrat e ministrave, Oliver Spasovski, Radmilla Shekerinska, Nikolla Dimitrov dhe koordinatori nacional për NATO, Stevo Pendarovski. Ajnur Bafqari /SHENJA/