Në vendimin e Qeverisë për rritje të pensioneve nuk u përfshinë veteranët e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).Këta të fundit po ndihen të zhgënjyer me kryeministrin, Ramush Haradinaj.

Kryetari i Këshillit për Mbrojtjen e Veteranëve të UÇK-së, Xhevdet Qeriqi, po paralajmëron edhe protesta lidhur me këtë çështje. Qeriqi ka thënë se ata kanë pritur të rendohen në ngritjet e fundit që janë bërë nga Qeveria e Kosovës, por që dolën të zhgënjyer.

“Ne kemi pritur që do përfshihemi në këto ngritjet e fundit të pensioneve që janë bërë. Fatkeqësisht jemi anashkaluar nga ana e Qeverisë, kemi shpresuar që do përfshihemi në Ligjin e Pagave, sepse jemi një kategori e cila e meriton të trajtohet më dinjitetshëm, nuk ka ndodhë dhe jemi të zhgënjyer nga vendimet e fundit që i ka marrë Qeveria dhe asnjëherë nuk na ka dhënë një sqarim se pse kjo kategori është lënë anash dhe tashmë jemi në diskutim me bashkëluftëtarët dhe po presim se cili është vendimi i tyre dhe kërkesat e tyre në rast se është një disponim i tyre për të protestuar ne jemi të gatshëm që të ndërmarrim një hap për shkak që jemi lënë anash nga institucionet e Kosovës”, ka thënë Qeriqi.