Prokuroritë publike me mungesë të prokurorëve dhe administratorëve. Në nivel shtetëror mungojnë rreth 75 prokurorë. Pos mungesës, 20 prej prokurorëve e kanë pezulluar vendin e tyre të punës, për shkak të pozitave tjera në gjyqësor. Nga Prokuroria Republikane thonë për Alsat se numri i përgjithshëm i prokurorëve në nivel shtetëror duhet të jetë 251, ndërsa aktualisht ka 176 prokurorë.

Përveç këtyre 176 prokurorëve të cilët për momentin aktivisht punojnë nëpër prokurori, ka edhe 20 të tjerë, funksioni i të cilëve është në pezullim për shkak të zgjedhjes në Institucion tjetër (Në Këshill të Prokurorëve Publik, gjykatë ndërkombëtare, udhëzim të përkohshëm etj.) Gjithsesi, edhe me ata, mbetet numri me mbi 50 vende të paplotësuara të prokurorëve. Për funksionimin ligjor, në pajtueshmëri me dispozitat e Ligjit për Procedurë penale, është e nevojshme që numri i prokurorëve publik të rritet. Me propozim të Prokurorisë Publike të Republikës së Maqedonisë, Këshilli i Prokurorëve Publik u shpreh për rritjen e numrit të prokurorëve publik për 50 prokurorë dhe i njëjti të jetë gjithsej 301 prokurorë publik”, thonë nga Prokuroria Publike e Republikës së Maqedonisë

Pos prokurorëve, mungojnë edhe 774 administratorë. Nga 1130 sa duhet të ketë të punësuar, aktualisht në nivel shtetëror nëpër Prokurori ka të punësuar 356 administratorë.

Megjithatë, tani Prokurorisë Publike, do ti shtohen edhe lëndët e Prokurorisë Speciale. I pyetur, kryeprokurori Lubomir Jovevski, tha se kapacitetet e kuadrove të prokurorisë janë të kufizuara, por ekziston vullneti.

Kuptohet se kapacitetet e kësaj Prokurorie Publike janë të kufizuara, por ne kemi mundësi, kemi forca, kemi vullnet për ato lëndë për të cilat, përsëri do të potencoj, nuk është kompetente Prokuroria Publike, ti marrim dhe ti punojmë ata lëndë”- pohoi Lubomir Joveski, kryeprokuror.

Shefja e drejtësisë Renata Deskoska, tha se numri i gjykatësve dhe prokurorëve do të rregullohet përmes Akademisë për Prokurori dhe Gjyqësor.

Për pjesën e numrit të gjykatësve dhe prokurorëve, patjetër të respektohet ajo që është biseduar edhe me Komisionin Evropian dhe me ekspertët e tyre, se hyrje e vetme në gjyqësor dhe prokurori do të jetë përmes akademisë për gjykatës dhe prokuror”- tha Renata Deskoska, ministre e Drejtësisë.

Për mungesën e administratorëve, Deskoksa shpëtimin e sheh tek konkurset aktuale.

Në prokuroritë publike duhet të ketë të punësuar 1130 Administratorë ndërsa për momentin të punësuar janë 356 persona, që do të thotë se duhet të punësohen edhe 774 persona.

Loading...