Policia shqiptare ka bllokuar hyrjen e pedonales që në orët e para të mëngjesit në kuadër të protestës së opozitës, e thirrur në orën 10:00 të ditës së sotme.

Qytetarë nga Lezha, Vlora, Berati, Fieri dhe Shkodra janë nisur drejt Tiranës për këtë protestë që do të zhvillohet përpara Parlamentit.

Kreu i PD-së, Lulzim Basha tha dje në mbrëmje se protestat do të vazhdojnë dhe i bëri thirrje qytetarëve që të bëhen bashkë në këtë “betejë që na bashkon”.

“Nesër në oren 10.00 i bëj thirrje të gjithë qytetarëve të mi të jemi të gjithë bashkë, sepse kjo është një betejë që na bashkon dhe nuk na ndan, është një betejë që nuk bëhet për pushtet, nuk bëhet për një parti politike. Bëhet për ta çliruar vendin nga zgjedha e krimit”, deklaroi Basha.