Me prezantimin e bisedave telefonike dhe SMS mesazheve, sot po vazhdon gjykimi për rastin “Monstrum” për masakrën në fshatin Smilkovë.
Avokati i të pandehurve, Naser Raufi, në seancën e kaluar theksoi se në komunikimet e publikuara nuk ekziston asnjë fjali e vetme me indikacione se të pandehurit e kanë kryer veprën, transmeton Gazeta Lajm. Raufi tregon edhe se çka përmbajnë incizimet e publikuara.
“Jemi të bindur, e kjo do të vërtetohet edhe gjatë procedurës, se në këto komunikime nuk ka asgjë që inkriminon këta të akuzuar për këtë vepër penale. Absolutisht asnjë fjalë, asnjë fjali nuk i inkriminon. Ne i dimë këto biseda, ato përmbajnë komunikime të zakonshme dhe të përditshme mes të akuzuarve, këto materiale nuk kanë kurrfarë vlerë dëshmuese për lëndën”, theksoi Raufi.
Gazetarët megjithatë nuk do ti dëgjojnë “Bisedat e përgjuara telefonike” mes të akuzuarve për rastin “Monstra”. Të vetmit që u lanë ti dëgjojnë bisedat, ishin familjarët e djemve të vrarë, të cilët i janë bashkangjitur akuzës së prokurorëve.
Për shkak të natyrës së fshehtë të këtyre materialeve që janë të klasifikuara, për to nuk mund të flitet jashtë sallës gjyqësore. Situatë e njëjtë do të jetë edhe më 4 shkurt kur do të jetë seanca e ardhshme gjyqësore, pasi poashtu do të vazhdojë prezantimi i materialeve të klasifikuara.
Gjatë seancës së kaluar, i akuzuari Fejzi Aziri por edhe avokatët e të akuzuarve të tjerë, reaguan nga deklaratave të ekspertëve të balistikës dhe atyre Mjekësisë Ligjore. Reagonin pasi dyshojnë se disa hetime dhe disa çështje janë mënjanuar qëllimisht, për tu dhënë ngjarjeve një kahje tjetër.
Teksa gjykimi duket të ketë ardhur në ndonjë pikë kyçe, ende nuk ka asnjë korrigjim në akuzë, edhe pse Prokuroria Speciale pati paralajmëruar se deri në fund, ka gjasa që akuza të zgjerohet edhe ndaj personave të tjerë, por edhe dikush prej të akuzuarve aktual, ka mundësi që të shpëtojë nga përndjekja.
Nën akuzën se e kanë kryer vrasjen e pesëfishtë në Liqenin e Smillkovës, me burg të përjetshëm u dënuan Alil Demiri, vëllezërit Afrim dhe Agim Ismailoviq, Fejzi Haziri, Haki Haziri dhe Sami Luta.
Gjykata, nëpërmjet ministrisë së Drejtësisë, tashmë një kohë të gjatë instiston në ekstradimin e dy të akuzuarve kryesor për rastin “Monstra”, Afrim Ismailoviq dhe Alil Demiri, të cilët momentalisht janë në Kosovë. Republika e Kosovës fillimisht e pati refuzuar kërkesën për shkak se Maqedonia nuk ka ofruar prova të mjaftueshme për të dëshmuar se këto dy persona janë fajtorë, ndërsa tani, afro një vit po e mban peng kërkesën pa asnjë përgjigje pozitive ose negative.
Ismailoviç dhe Demiri, kanë qëndruar në burg për dy vjet e gjysmë, për shkak të armëmbajtjes pa leje.