Autore: Senehate Nimani

Partnerët e qeverisë janë kundër mbajtjes se zgjedhjeve të parakohshme parlamentare bashkë me presidencialet. BDI-ja ka shprehur edhe publikisht qendrimin kundër, ndërsa LSDM-ja ende po diskuton në këtë temë në organet e partisë, shkruan Gazeta Lajm.

Megjithatë, gazeta Lajm mëson se pjesa më e madhe e social-demokratëve janë kundër mbajtjes së zgjedhjeve të dyfishta në pranverë.

Gazetari Naim Sinani, thotë se fjalën e fundit për mbajtjen e zgjedhjeve e parakohshme do ta thotë LSDM-ja.

“Pjesa më e madhe e kundërshtarëve të zgjedhjeve të parakohshme kundërshtojnë zgjedhjet me faktin se zgjedhjet do të ngadalësonin proceset integruese, që në një farë forme kjo bazohet edhe te kërkesa e ndërkombëtarëve që vendi të përqëndrohet më tepër te reformat pasi vendi pritet të merr datë për fillimin e bisedimeve. Nga ana tjetër, do të duhet të kihet parasysh edhe argumentin se kjo shumicë aktuale e ka vazhdimisht presionin e 8 deputetëve opozitar që u larguan nga VMRO-DPMNE-ja e që vazhdimisht po kërkojnë beneficione të ndryshme. Arsyetimi pse vendi do të duhej të shkonte në zgjedhje të parakohshme parlamentare do të ishte pikërisht këtu që shumica parlamentare të siguronte 2/3 e votave për t’iu shmangur presioneve të vazhdueshme nga këta 8 deputetë, duke e pasur parasysh se reformat për shumë ligje kërkojnë 2/3 e votave” tha gazetari Naim Sinani për Gazetën Lajm.

Ndërkaq shumica e qytetarëve e të anketuarve nga Gazeta Lajm thonë se vendit nuk i duhen zgjedhje.

“Nuk kisha thënë se duhet të ketë zgjedhje. Le të rregullohet shteti me emrin e ri pastaj le të ketë zgjedhjet” u shpreh një i anketuar për Gazetën Lajm.

“Kishim zgjedhje, tani duhet të ndjekim rregullat e BE-së për eurointegrimet. Mendimi im është se nuk duhet të ketë” tha një qytetar.

“Nuk do të ishte keq sikur të kishte zgjedhje, u shpreh një i anketuar”.

“Ka përparësi edhe të ketë edhe mos të ketë. Por kur ka filluar procesi për anëtarësim në NATO dhe BE me zgjedhje do të pengohej”, tha një qytetar.

Edhe përfaqësuesit e Bashkimit Evropian kërkojnë nga autoritetet e Shkupit që të përkushtohen në përmbushjen e reformave dhe thonë se nuk është koha për zgjedhje të parakohshme.

Një porosi të tillë një ditë më parë zyrtarëve në Shkup ua përcolli edhe Drejtori i Drejtorisë për politika fqinjësore Kristian Danielson.

Zgjedhje të parakohshme parlamentare kërkoi kreu i VMRO-DPMNE-së Hristijan Mickovski, i cili pretendon se kryeministri Zoran Zaev ka dështuar dhe se politikat e tij vetëm po e dëmtojnë shtetin.

Pro zgjedhjeve të parakohshme parlamentare bashkë me presidencialet janë shprehur edhe partitë opozitare shqiptare./Gazeta Lajm & Lajm.tv