Qyteti i Shkupit i jep ultimatum prej 30 ditësh drejtorit të Spitalit të Specializuar për Obstetrikë dhe Gjinekologji “Nënë Tereza” në Çair, që të ndalojë të djegë mazut në kaldajë, në të kundërt Qyteti i Shkupit do ta mbyll këtë spital, raporton Televizioni SHENJA. Kryetari i Qytetit të Shkupit, Petre Shilegov thesoi se spitalit i kanë dërguar vërejtje edhe dy herë të tjera, ndërsa sot është vërejta përfundimtare, pasi kjo situatë po e rëndon edhe më tej ajrin e ndotur.

Petre Shilegov, kryetar i Qytetit të Shkupit

“Inspektorati deri tani dy herë ka intervenuar në Spitalin e Çairit. Sot përsëri është dërguar inspeksion, si vërejtje përfundimtare për spialin, por megjithatë edhe tek Ministria e Shëndetësisë që të ndryshojnë kaldajën. Përderisa nuk veprojnë në këtë mënyrë, spitali do të mbyllet nga ana e Qytetit të Shkupit. Nuk duam të shkaktojmë ndonjë krizë, por duhet përfundimisht çdokush të përgjigjet për veprimet e veta”.

Shilegov sqaroi se gjatë ditës, pasi t’i kenë rezultatet nga inspektimi, ata do të drejtohet edhe me shkrim tek ministri i Shëndetësisë, ndërsa nga to Shilegov pret që të reagojnë në mënyrë të menjëhershme.

Por, se spitali i tyre mund të mbyllet, Ilir Shurllani nga “Nënë Tereza” thotë se tek ata nuk ka arritur ndonjë informacion zyrtar. Megjithatë, Shurllani zotohet se për më pak se një muaj, do të ketë zgjidhje për këtë problem.

Ilir Shurllani, I.P.SH. “Nënë Tereza”

“Unë nuk kam informata të tilla, deri te ne nuk ka ardhur ndonjë letër zyrtare për ta njoftuar spitalin dhe njeriun e parë të spitalit, drejtorin por megjithatë unë besoj se me një bashkëpunim të mirëfilltë të spitalit dhe institucioneve relevante, besoj që në kohë shumë të shkurtër, ndoshta edhe pa mbaruar muaji, do të kemi një zgjidhje një herë e përgjithmonë”.

Ai po ashtu e konfirmon faktin se përdorin mazut edhe atë që nga viti 1964, mirëpo arsyetohet se kjo është e vetmja mënyrë e sigurimit të ujit të ngrohtë. Ai thotë se ka dy vjet që kanë aplikuar për një projekt, me të cilin parashihet ndrrimi komplet i kaldajave dhe i njëjti është në fazë të revizionit të dytë.

Ndërkaq, një ditë më parë në rrjete sociale u shpërnda një video, ku shihej se si nga oxhaku i spitalit të Çairit dilte tym i dendur i zi. Qytetarët ishin në panikë pasi nuk e kishin të qartë atë se çfar po ndodhte dhe shprehnin shqetësimin se përveç ajrit që është shumë i ndotur, tani edhe kjo situatë do të të ndikojë edhe më shumë për ndotjen e ajrit. Emine Ismaili /SHENJA/

Loading...