Rrugët dhe bulevardet si dhe rrugët magjistrale të cilat janë nën kompetenca të Qytetit të Shkupit janë tërësisht të pastruara, ndërsa në terren po punohet intensivisht në pastrimin e trotuareve dhe shtigjeve të biçikletave nga bora e shtresuar, në mënyrë që qytetarëve t’u mundësohet lëvizje më e lehtë.

Autoritetet e qytetit sot kumtuan se ekipet e shërbimit dimëror të Qytetit të Shkupit vazhdojnë me aktivitete intensive për pastrimin e borës pas reshjeve të rrëmbyeshme.

Gjatë natës së kaluar, siç ceket, sërish janë kaluar të gjitha bulevardet dhe rrugët që janë nën kompetenca të Qytetit të Shkupit, ndërsa plotësisht janë kaluar me kripë edhe të ashtuquajturat “pika kritike”, me ç’rast u hodhën 432 tonë kripë.
Edhe gjatë 24 orëve të fundit ekipet e ndërmarrjes publike “Higjiena komunale” kanë punuar në pastrimin e sipërfaqeve publike dhe trotuareve. Borën e kanë pastruar 60 të punësuar, me dorë dhe me mekanizma të ndryshme për pastrimin e borës.

Ekipet e NP “Parqe dhe gjelbërime” me dy kamionë, katër makina dhe mekanizëm tjetër të nevojshëm kanë kryer pastrimin e rrugicave nga bora në sipërfaqet e gjelbëruara, trotuaret dhe parqet për lëvizje të lehtësuar të qytetarëve.
Qyteti i Shkupit u rekomandon vozitësve të kenë kujdes dhe t’u përmbahen kushteve në rrugë. Të mos parkojnë në rrugë dhe bulevarde dhe të mundësojnë lëvizje të pandërprerë të automjeteve të shërbimit dimëror. Në kompetenca të Qytetit të Shkupit janë bulevardet dhe disa rrugë të caktuara, ndërsa rrugët e tjera janë në kompetenca të komunave dhe ato janë të obliguara për pastrimin dhe mirëmbajtjen e tyre.

“U bëjmë thirrje qytetarëve, këshillave shtëpiak dhe pronarëve të objekteve afariste t’i përmbahen obligimit ligjor për pastrim të borës para objekteve të tyre”, thuhet në kumtesën e Qytetit të Shkupit.

“NP “Higjiena komunale” u bën thirrje komunave që ta realizojnë obligimin për pastrimin e rrugëve të cilat janë në kompetenca të tyre, si dhe azhurnim më të madh në këtë sferë me qëllim të grumbullimit të pandërprerë të mbeturinave komunale.