Të nderuar,

Pas reagimeve të një pjese të shoqatave dhe mediave të vendit lidhur me publikimin e rezultateve të konkursit vjetor për financimin e projekteve me interes nacional në kulturë për vitin 2019, dëshiroj t’jua bëj me dije se:

– Vendimi për secilin projekt është marrë vetëm në bazë të propozimeve të komisioneve profesionale dhe
– Në asnjë rast nuk kam ushtruar asnjë ndikim në përzgjedhjen e ndonjë projekti.

Duke i ndjekur me vëmendje kritikat, reagimet, lëvdatat dhe sugjerimet, dëshiroj t’ju them se jam në kontakt të vazhdueshëm me anëtarët e komisioneve dhe me shërbimin juridik pranë Ministrisë.
Pas konsultimeve me ta, bashkërisht do të vendosim për hapat e mëtutjeshëm.

Ndërkohë dy gjëra dua t’i keni parasysh:
– Motoja ime “kulturë për të gjithë” ka qenë pa paragjykime etnike, politike e religjioze dhe
– Nuk jam unë nga soji i politikanëve që postin e shohin si mjet të vetëm për t’u pasuruar.

Gjatë kësaj periudhe me vetëmohim u angazhova që ta rris transparencën, ta luftoj korrupsionin dhe të mos bëj ndasi mes njerëzve në Maqedoni.

Për mua funksioni politik “ministër” nuk është i shenjtë !!

Me nderime