Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në një adresim në seancën plenare të Kuvendit të Shqipërisë, deklaroi se protesta e opozitës, nuk është protestë popullore, por reagim brenda pallatit të politikës.

Ai refuzoi mundësinë që vendi të shkojë në zgjedhje duke formuar fillimisht një qeveri tranzitore, që është edhe kushti i opozitës, duke thënë se mandatin e ka fituar nga shumica e shqiptarëve.

“Në parlament na sollën shumica e shqiptarëve dhe na dhanë detyrën të qeverisim deri në vitin 2021. Mandati nuk është letër bixhozi, ne me mandatin nuk luajmë bixhoz siç luajnë ata pas të cilëve qëndrojnë grupe interesash që janë mundur në betejën tonë për të bërë shtet”, deklaroi Rama.

Rama tha se nga këto lëvizje preket Shqipëria pasi sipas tij, rikthejnë fantazmën e vjetër të një Shqipërie që është në kaos duke krijuar pasiguri.

“Këta po cenojnë vetveten sepse duan të marrin pushtetin në tavolinë. Këta kërkojnë diçka që ne nuk ua japim dot duke krijuar një precedent të papranueshëm”, tha Rama.

Kryeministri shqiptar edhe njëherë shprehu gatishmërinë për t’u ulur në tryezë me liderët opozitarë, por tha se do të diskutojnë gjithçka përveç zgjedhjeve.

“Ne jemi gjithmonë të gatshëm të flasim dhe të dialogojmë gjithçka, por nuk do negociojmë rregullat themelore që bëjnë ndryshimin mes këtij sistemi ku njerëzit zgjedhin dhe të zgjedhurit respektojnë mandatet që iu japin njerëzit dhe çdo sistemi tjetër”, vijoi Rama.

Shefi i ekzekutivit shqiptar tha se opozita ka frikën e zgjedhjeve lokale që mbahen në qershor pasi do të humbasin edhe ato bashki që drejtojnë.