“Porta e Porta” do të jetë ndalesa e parë e kryeministrit Edi Rama në Itali, për turin 24-orësh, për të cilin tha se do ta përdorë për t’i pastruar imazhin Shqipërisë dhe për të sqaruar se vendi nuk është në krizë politike.

Në emisionin e “gjigandit” të televizionit Bruno Vespa, shefi i qeverisë ka shkuar i veshur me stilin e tij të veçantë, kostumin serioz të politikanit dhe një palë atlete “Adidas” me ngjyrë të bardhë në këmbë.

Kujtojmë se dalje të tilla publike të kryeministrit kanë qenë të shpeshta, madje edhe në Bruksel në samite të rëndësishme rajonale e ndërkombëtare.

Emisioni është regjistruar tanimë dhe pritet të transmetohet pas orës 23:00 të mbrëmjes së sotme në televizionin publik italian “Rai1” dhe në ERTV.

Rama do të jetë përballë një paneli të ftuarish dhe do të flasë për zhvillimet e fundit politike në Shqipëri.