Drejtuesit e Flamurtarit kanë vendosur dje për trajnerin e ri të skuadrës. Ai është shqiptaro-maqedonasi Zekerija Ramadani, i cili ka drejtuar FC Shkupin së fundi, duke pasur një ecuri mjaft të mirë me të. Ramadani është një emër i njohur në opinionin futbolldashës në Shqipëri, pasi ka luajtur disa vite më parë me Dinamon, Besën dhe me Flamurtarin për një periudhë të shkurtër.

Administratori Sinan Idrizi ka konfirmuar sot për “Sport Ekspres” se prezantimi i trajnerit të ri do të bëhet nesër në orën 11:00, në ambientet e klubit “Flamurtari”. Së fundi kishin dalë shumë emra në skenë, si kandidatë të mundshëm për stolin vlonjate, por tashmë kjo dilemë ka marrë fund, pasi është zgjedhur Ramadani, i cili për herë të parë do të punojë në Shqipëri. Nga burime pranë gazetës mësohet se në listë ishin edhe dy trajnerë italianë, por, duke mos dashur të bëjnë eksperimente, drejtuesit vlonjatë kanë vendosur për t’ia besuar drejtimin e skuadrës Ramadanit, i cili ka dhënë një provë shumë të mirë me FC Shkupin në kampionatin maqedonas. Flamurtari e nisi sezonin me çekun Stanislav Levi, por aventura e tij zgjati pak javë dhe më pas skuadrën e drejtoi Gentian Mezani, trajneri i U-19-ës. Të paktën për gjysmën e dytë të sezonit vlonjatët do të drejtohen nga Ramadani, por gjasat janë që bashkëpunimi mes palëve të jetë afatgjatë. Më shumë detaje pritet të mësohen nesër, gjatë prezantimit të trajnerit të ri të Flamurtarit.

Loading...