Institucionet e Kosovës i kanë plotësuar të gjitha kushtet për të fituar liberalizimin e vizave, mirëpo ky proces tash e një kohë ka ngecur.

Kjo për arsye se çështja e vizave për Kosovën nuk është futur në agjendën e takimeve nga Këshilli i Ministrave të Bashkimit Evropian .

Ministrja e Integrimeve Evropiane, Dhurata Hoxha së fundi ka thënë se liberalizimi i vizave nuk varët më nga Kosova por nga Shtetet Anëtare.

Sipas saj, këto shtete e kanë politizuar qëllimshëm këtë proces, për të cilin beson se është mirë ta fusin në agjendë në mbledhjen e këshillit në qershor pas zgjedhjeve të parlamentit evropian.

Nga zyrtarë të PE-së, thuhet se sa më shpejt që të jepet pëlqimi nga Shtetet Anëtare, aq më shpejt do të vazhdoj procesi.

Raportuesi për Kosovën në Parlamentin Evropian, Igor Soltes ka thënë për lajmi.net se nuk duhet humbur shpresa se liberalizimi i vizave mund të ndodhë këtë vit.

Se a pritet të ndryshojnë qëndrim këto vende, Soltes ka thënë se nuk është në dijeni.

“Nuk mund t’ju jap një përgjigje për këtë pyetje, unë sinqerisht shpresoj kështu. Personat e duhur për të kërkuar këtë përgjigje janë pikërisht këto shtete anëtare të BE-së dhe politikanët e tyre përkatës”, ka deklaruar Soltes.

Tutje, ai ka theksuar se ‘ngrirja’ e dialogut Kosovë-Serbi nuk hedh dritë të mirë në procesin e vizave.

“Unë nuk mendoj se vonesat në dialog ndikojnë drejtpërsëdrejti në liberalizmin e vizave. Sidoqoftë, kjo nuk hedh dritë pozitive në gjithë procesin. Është në interes të BE-së që Kosova dhe Serbia të zbatojnë marrëveshjen e Brukselit dhe të lehtësojnë dialogun i cili fatkeqësisht është pezulluar qe një kohë të gjatë”, ka thënë ai.

Soltes ka shtuar se në vend se të bëhet përparim në këto procese, ndihet sikur po shkohet mbrapa.

Për shkak të zgjedhjeve në PE dhe bllokimit nga shtetet anëtare, kosovarët mund të mos lëvizin lirshëm deri në vitin 2020.