Deputeti i Aleancës për Shqiptarët, Surja Rashiti në një intervistë për gazetarët e ka quajtur projekt/ligjin për Prokurorinë Speciale Publike si një tjetër farse e mazhorancës së sotme për t’u hedhur hi syve ndërkombëtarëve. Ai kundërshton edhe mënyrën e zgjedhjes së kryeprokurorit të kësaj prokurorie duke e quajtur një instrument të në duart e LSDM-së dhe BDI-së. Rashiti foli edhe për takimin e mbrëmshëm të Zaevit dhe Mickoskit duke e quajtur si të papranueshëm këtë takim vetëm mes partive maqedonase duke rikujtuar dhe zhurmën e madhe kur ndodhi në takimin e vetëm të partive shqiptare dy vjet më parë.

Pr/ligji për Prokurorinë Speciale Publike është një tjetër farsë për t’u hedhur hi syve ndërkombëtareve për gjoja reforma në gjyqësor. Për ne është e papranueshme që Kryeprokurorin e Prokurorisë Speciale ta zgjedh këshilli i prokurorëve, një instrument i kontrolluar në duart e LSDM-së dhe BDI-së. Kërkojmë që kryeprokurori special të zgjidhet me konsensus më të gjerë politik dhe etnik. Kërkojmë që Specialja të hetojë të gjithë të dyshuarit dhe lëndët që dalin nga përgjimet.

Mendoj se nuk ishte gjë e mirë që për çështje të rëndësishme shtetërore takohen vetëm liderët e partive maqedonase. Paramendoni çfarë zhurme u ngrit kur u takuan liderët e partive politike shqiptare për çështje që ishin në interes të shqiptarëve. Mendoj se liderët shqiptarë duhet të përfshihen edhe në takime që kanë të bëjnë me çështje shtetërore- tha Surija Rashiti, deputet i Aleancës për Shqiptarët.