Prokuroria Themelore në Prishtinë ka shpjeguar në detaje se pse janë ndërprerë hetimet [herën e parë] për rastin në Drenas ku e mitura A.G që dyshohet se është keqpërdorur seksualisht nga mësimdhënësi i saj Shkëlzen Xhekaj.

Kjo Prokurori ka bërë të ditur se lidhur me këtë rast ka pranuar kallëzim penal më 21.09.2017, kurse, prokurori i çështjes ka marrë aktvendim per fillimin e hetimeve më 10.01.2018.

“Prokurori i çështjes, me rastin e intervistimit të dëmtuarës së mitur, A. G., më 11.01.2018, fillimisht e ka njoftuar të njëjtën me të drejtat e saj, konform nenit 62, 63, 217 dhe 218 të KPKP-së, në praninë e përfaqësuesit ligjor (babait), mbrojtësit të viktimave, avokatit sipas detyrës zyrtare, si dhe, avokatit me autorizimin e të dyshuarit”.

“Gjatë intervistimit të së miturës, është vërejtur se e njëjta e ka mohuar në tërësi deklaratën e dhënë në Policinë e Kosovës, më 14.09.2017, me të cilën deklaron se, gjatë gjithë kohës ka pasur keqpërdorim seksual nga i dyshuari, Sh. Xh. Përkundër insistimit të vazhdueshëm të prokurorit që e dëmtuara ta thot të vërtetën, dhe nëse e bën të kundërtën, prokurori do të ushtroj kallëzim penal ndaj saj, për deklarim të rrejshëm, ajo me çdo kusht i ka refuzuar të gjitha deklarimet e mëparshme, me arsyetimin se deklarata e parë e dhënë në Policinë e Kosovës, ka qenë në tërësi e trilluar”.

Prokuroria ka bërë të ditur po ashtu se me qëllim të grumbullimit të provave gjatë fazës së zhvillimit të hetimeve, prokurori i rastit, në bazë të kërkesën së tij, ka pranuar nga Departamenti për Mjekësi Ligjore, Ekzaminimin Gjinekologjik-Fizik për të dëmtuarën, të dt. 15.09.2017.

“Po ashtu, prokurori i çështjes, ka intervistuar edhe të dyshuarin, Sh.XH., më 11.01.2018, i cili në tërësi i ka mohuar pretendimet e deklaruara nga e dëmtuara, në deklaratën e parë të dhënë në Policinë e Kosovës”.

“Bazuar në rezultatet e të gjitha këtyre veprimeve hetimore, prokurori i rastit merr aktvendim për pushimin e hetimeve, të evidentuar me PP/II nr. 5763/17, të dt. 19.01.2018, me arsyetimin se, për rastin në fjalë, meqenëse ka pasur dy (2) deklarata kontradiktore, dhe ekzaminimin mjeko-ligjor, i cili nuk ka rezultuar me ndonjë rezultat konkret, vjen në përfundim se në veprimet e të dyshuarit, Sh. Xh., nuk qëndrojnë elementet inkriminuese për veprën penale, Keqpërdorim seksual, nga neni 235 të KPRK-së”.

Sipas Prokurorisë Themelore të Prishtinës, meqenëse prokurori i rastit ka pasur dy (2) deklarata kontradiktore nga e dëmtuara, i njëjti ka përpiluar shënim zyrtar, më 19.01.2018, me të cilën ka kërkuar që të inicohet procedurë hetimore ndaj të dëmtuarës, në drejtim të veprës penale “Lajmërimi apo kallëzimi i rremë” dhe ka kërkuar që ky shënim zyrtar të konsiderohet kallëzim penal.

Prokuroria ka njoftuar se do ta mbajë të informuar opinionin për rastin e dytë që është duke u zhvilluar procedurë penale në Prokurorinë Themelore në Prishtinë, në të cilën çështje penale është e dëmtuar e njëjta.

Loading...