Real Madrid i është rikthyer fitoreve pas dy dështimeve të njëpasnjëshme në La Liga.

Madrilenët kanë triumfuar para shikuesve të vetë kundër Leganesit me rezultat 3-0 në kuadër të ndeshjes së parë të 1/8 së finales së Copa del Rey.

Los Blancos me shumë ndryshime në formacionin startues ka dominuar përgjatë 90 minutave, e cila u konkretizua me fitore bindëse.

Karim Benzema pati një rast të mirë në të 15-tën minutë, por që nuk arriti të realizoj gol. Një rast të mirë e pati nëntë minuta më vonë edhe Alvaro Odriozola.

Por, epërsinë skuadrës kampione të botës ia dha Sergio Ramos, i cili realizoi nga pika e bardhë një minutë para përfundimit të 45 minutshit të parë.

Në pjesën e dytë vendasit vazhduan me lojë të mirë, ku i riu Vinicius Junior pati dy raste për të ngritur epërsinë e ‘mbretërve’ në të 58 dhe 62 minutë.

Shtatë minuta më vonë Lucas Vazquez shënoi golin e dytë të Realit pasi mori një pasim të saktë nga Viniciusi.

Por, Vinicus që shkëlqeu në këtë ndeshje arriti ta regjistroj veten në listën e realizatorëve në të 77 minutë pasi shënoi një supergol me këmbë pas harkimit të Odriozalës.

Deri në fund të ndeshjes më nuk pati raste dhe kështu ndeshja përfundoi me tri gola epërsi për madrilenët.

Theksojmë se ndeshja e dytë mes këtyre dyja ekipeve do të zhvillohet më 16 janar në stadiumin “Butarque”.

Ndryshe, fituesi mes këtyre dyja ekipeve në çerekfinale do të takohet me triumfuesin mes Getafes dhe Valladolidit. /Telegrafi/