Në ndeshjen e prapambetur të javës së 17 të La Ligës në Spanjë, Villarreali ka arritur të ndalë Realin e Madridit, i cili ëndërronte ngjitjen në vendin e tretë, por barazimi 2-2 nuk ia dha këtë mundësi.

Santi Cazorla kaloi menjëherë në avantazh Villarrealin, që në minutën e 4-t, ndërkohë që po shumë shpejt reaguan edhe “Los Blancos”-it me golin e shënuar nga Benzema, 3 minuta më pas.

Brenda pjesës së parë shënoi edhe Varane, duke çuar ekipet në dhomat e zhveshjes me avantazhin e Realit, 2-1.

Ndërkohë, kur dukej se gjithçka shkonte drejt fitores së madrilenëve, një shpërqëndrim në mbrojtjen e tyre i dha mundësinë ish-lojtarit të Arsenalit të shënojë edhe golin e dytë, duke mbyllur takimin në 2-2.

Kjo pikë për Villarrealin është shumë më e rëndësishme, pasi “nëndetësja e verdhë” ka mundur të dalë nga zona e ftohtë e klasifikimit, ndërkohë që Reali mbetet në vendin e katërt, 7 pikë pas Barçës.