Autoritetet Kosovare, me përkushtimin maksimal janë vënë pas zbatimit të fjalës popullore “Punë punë natë e ditë, që të shohim pakës dritë” të thënë nga Naim Frashëri.

Këtë fjalë ata, po e vënë në zbatim në përfundimin sa më të shpejtë të autostradës, “Arbër Xhaferi”, e cila lidh Prishtinën me Shkupin. Konkretisht, nga ana e Kosovës në këtë aspekt po punohet me seriozitetin më të madh të mundshëm, saqë punimet bëhen në tre turre.

Por kundërpërgjigjja e autoriteteve të Maqedonisë është demoralizuese. Punimet do të fillojnë vitin e ardhshëm është përgjigja që përsëritet si refren tani e disa vite nga zyrtarët e qeverisë në Maqedoni.

Zëvendës-kryeministri për çështje evropiane, Bujar Osmani, i cili vjen nga radhët e BDI-së, duke ju përgjigjur pyetjes se pse janë stërzgjatur punimet dhe kur pritet të njëjtat të fillojnë, është përgjigjur shkurtë, duke hedhur poshtë, duke theksuar se punimet fillojnë vitin e ardhshëm.

“Vitin e ardhshëm fillojnë”, deklaroi shkurt Osmani, duke u përgjigjur në cilësinë e përfaqësuesit qeveritar për shkaqet se pse Maqedonia ngec në punimet për lidhjen e dy kryeqendrave me autostradë. Në këtë mënyrë ai ka demantuar edhe deputetin e BDI-së, Rexhail Ismaili, i cili në fillim të këtij viti në një debat në RTV Dukagjini, premtoi se punimet do të fillojnë sivjet. Edhe vetë kandidatë të BDI-së për deputetë në fushatën para zgjedhjeve parlamentare të vitit 2016 e patën paralajmëruar rrugën Shkup-Bllacë si projekt të kryetarit të partisë së tyre, Ali Ahmeti, për të “afruar Shkupin dhe Prishtinën”. Si duket atëherë nuk menduan fare që në këtë mënyrë atij ia hedhin gjithë barrën për vonimin e këtij projekti, i cili deri tani ka fatin e njëjtë me fatin e vendkalimit kufitar Llojan-Miratoc, që në mënyrë maestrale është përshkruar nga Plaku i Llojanit.

Ndërkaq nga Lëvizja Besa, krahu i Afrim Gashi, për mos fillimin e punimeve, akuzojnë Bashkimit Demokratik për Integrim

“Dihet kush ka qenë deri tani në qeveri dhe kush ka fajin për mosfillimin e punimeve. Shpresojmë se në buxhetin e vitit të ardhshëm do të ndahen mjete për këtë qëllim”, deklaroi Murtezani.

Ndërkaq, nga Aleanca për Shqiptarët, thonë se fakti që kjo qeveri LSDM -BDI, njëjtë si ajo VMRO-BDI ende nuk ka filluar asnjë milimetër autostradë nga Shkupi në Bllace, nga gjithsej 13 Kilometra përderisa qeveria e Kosovës e ka përfunduar pjesën e vete te autostradës “Arbër Xhaferi” me 70 km autostradë, flet për neglizhencë të qeverisë, që nuk ka interesim të krijojë lidhje dhe infrastrukturë rrugore me  Kosovën.

“Kjo rrugë përpos zhvillimit ekonomik, te dy vendeve shërben edhe si urë lidhëse mes shqiptarëve te Maqedonisë dhe atyre të Kosovës. Bëjmë thirrje qeverisë së RM, qe sa më pare ne propozim buxhetin e RM për vitin e ardhshëm të ndajnë mjete buxhetore për autostradën “Arbër Xhaferi”, dhe jo e njëjta te jepet me koncension. Partneri qeveritar BDI ka në mënyre te dyfishtë përgjegjësi se pse kjo autostradë nuk është realizuar”, tha Bexheti për Lajm.

Nga ana tjetër, deputeti Fadil Zendeli, nga krahu i Lëvizjes Besa të Bilall Kasamit,  tha se shembulli i autostradës është i njëjtë me atë të korridorit tetë.

“Kjo qeveri i ngjanë të kaluarës”, vlerësoi Zendeli në deklaratën e tij.

Deri sa Shkupi zvarrit punimet për austoradën Shkup-Bllacë, autoritetet kosovare kanë premtuar përfundim të autostradës deri në fund të vitit 2018.

Ministri kosovar për infrastrukturë, Pal Lekaj, pat premtuar se “mënyra më e mirë për t’i shërbyer qytetarit është duke i mundësuar kushte moderne dhe të sigurta, siç është kjo autostradë, e cila do të përurohet në vigjilje të festës së vitit të ri 2019”. (m.i.)