Rrugët e malësisë së Sharrit gjatë ditës së sotme kanë qenë gati të bllokuara plotësisht nga bora, veçanërisht fshatrat në thellësi të malësisë së Sharrit. Ndërkaq, nga Komuna e Tetovës thonë që janë dërguar makineri shtesë dhe ekipe përforcimi për pastrimin e këtyre rrugëve, njofton Portalb.mk.

 

Malësia e Sharrit është bllokuar nga reshjet intensive të borës që vazhdojnë ende. Disa nga fshatërat më në thellësi të Sharrit, si: Xhermë, Vicë, Bozovcë, Brodec, Veshallë janë vështirë të kalueshme edhe me zinxhirë. Banorët ankohen që nga Komuna e Tetovës nuk janë ndërmarrë hapa të mjaftueshëm për pastrimin e këtyre rrugëve.

Nga Komuna e Tetovës thonë që ka pasur probleme në këto fshatra dhe ekipe përforcimi dhe maqineri janë dërguar që në orën nëntë të mëngjesit.

“Është hasur problem në fshatrat e thella te malësisë së Sharrit, Vicë, Xhermë, Bozovcë, pasi që bisedohet për kushte shumë të vështira atmosferike dhe për temperatura ekstreme, ku niveli i borës është 90cm. Në ora 9:00 nga shtabi i menaxhimit janë dhënë instruksione që të dërgohen ekipe përforcimi dhe makineri shtesë me qëllim që rrugët e malësisë të jenë të kalueshme dhe depërtueshme”, thonë nga Komuna e Tetovës.