Ish-Komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për Zonën e Llapit, Rrustem Mustafa (Remi) do të intervistohet sot nga Prokurorët e Dhomave të Specializuara me lokacion në Hagë.

Remi u nis për në Holandë ditën e djeshme përderisa edhe deklaroi se në Hagë ai do të mbrohet pikërisht nga UÇK-ja.

Tutje ai deklaroi poashtu se ndjehet i pafajshëm dhe se po i përgjigjet ftesës së Gjykatës Speciale për pretendimet e bëra nga Dick Marty.

Përpos Remit gjatë ditës së djeshme për në Hagë u nis edhe ish-Komandanti tjetër i UÇK-së, Sami Lushtaku.

Lushtaku parashihet që të intervistohet dy ditë pas Remit, saktësisht me datën 16.

Ftesa për intervistim kanë marrë edhe Sokol Dobruna, Nazif Mehmeti e Raimonda Rreci.

Avokatët e disa të të ftuarve kanë thënë se klientët e tyre “do të paraqiten vullnetarisht” dhe se “janë të gatshëm të sqarojnë çdo rrethanë” që po heton Prokuroria Speciale.
Është raportuar se Remzi Shala, i cili po ashtu ka marrë ftesë, nuk do të paraqitet në intervistë, pasi ka thënë se nuk i beson Gjykatës Speciale që do të trajtojë pretendimet për krime lufte në Kosovë.

Në zyrën e Prokurorit Special nuk kanë folur rreth ftesave, ndërsa autoritetet në Kosovë u kanë bërë thirrje të gjithë atyre që janë ftuar për intervistë, të përgjigjen, në mënyrë që të tregojnë “luftën e pastër të UÇK-së”.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë të premten se Qeveria e tij nuk është informuar nga Gjykata Speciale për intervistat që do të bëhen, por ka kujtuar se Kosova e ka obligim ligjor që t’i mbështesë ligjërisht dhe financiarisht të prekurit dhe familjet e tyre.

Ligji për Gjykatën Speciale është miratuar në Kuvendin e Kosovës në vitin 2015, ndërsa institucioni është bërë funksional në korrik të vitit 2017, kur është miratuar Rregullorja e Procedurave dhe e Provave.

Hetimet do të përqendrohen në krimet e supozuara nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.

Ligji për Gjykatën Speciale është miratuar në Kuvendin e Kosovës në vitin 2015.

Loading...