Ambasadori amerikan në Beograd, Kyle Scott, tha se SHBA-ja po vazhdon të i’u bëjë thirrje autoriteteve të Kosovës të heqin tarifën ndaj mallrave serbe pasi ajo është pengesë e dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit.

Ambasadori amerikan i bëri deklaratat gjatë një takimi me kryeministren e Serbisë, Ana Bërnabiq.

Në njoftimin e kabinetit të kryeministres serbe thuhet se ambasadori amerikan shprehu gatishmërinë e SHBA-së të ndihmojë në arritjen e një marrëveshjeje mes Prishtinës dhe Beogradit “e cila do të mundësonte stabilitetin dhe përparimin e gjithë rajonit”.

Në anën tjetër, kryeministrja serbe Bërnabiq, shprehu domosdoshmërinë e heqjes së tarifës ndaj mallrave serbe nga ana e Prishtinës, në mënyrë që të mundësohet vazhdimi i dialogut në Bruksel, transmeton REL.

Qeveria e Kosovës më 6 nëntor, të vitit të kaluar, fillimisht kishte vendosur tarifë doganore 10 për qind për produktet e importuara me origjinë nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina. Kjo tarifë doganore u ngrit në 100 për qind më 21 nëntor.

Përveç kësaj, më 28 dhjetor, Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që të vendosë tarifë doganore 100 për qind edhe për produktet e importuara nga brendet ndërkombëtare që prodhohen në Serbi dhe Bosnje e Hercegovinë.

Delegacioni serb në bisedimet Kosovë-Serbi, të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian në Bruksel, e ka ndërprerë pjesmarrjen në këto bisedime derisa të jetë në fuqi tarifa ndaj mallrave serbe.

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian në vazhdimësi po i bëjnë thirrje Qeverisë së Kosovës të tërheqë vendimin për tarifën mirëpo kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj po kundërshton duke thënë se tërheqja mund të ndodhë vetëm nëse Serbia dhe Bosnja e njohin Kosovën.

Loading...