Futbollisti kosovar thotë se Liverpooli nuk mund të jetë superior në çdo ndeshje, por beson se “Reds” mund ta fitojnë titullin

Xherdan Shaqiri thotë se Liverpooli “nuk është robot”, por beson se “Reds” kanë lojtarë të mjaftueshëm që mund t’i vendosin ndeshjet, shkruan Gazeta Express.

Gjiganti anglez mbetet në nivele të larta këtë sezon duke e pësuar vetëm një humbje nga 24 ndeshje në Premierligë.

Skuadra e Jurgen Klopp gjendet në krye të tabelës dhe sonte do ta kërkojë konfirmimin me ndeshjen që do ta zhvillojë në udhëtim ndaj West Hamit, për ta ruajtur diferencën prej 5 pikësh ndaj Manchester Cityt.

Mirëpo, mediat angleze shkruajnë se nervat kanë nisur të shfaqen tek klubi anglez në luftën për titull, por futbollisti kosovar beson se rëniet dhe ngritjet priten nga secila skuadër gjatë një sezoni të plotë.

“Ne nuk jemi robotë dhe ndonjëherë mund të mos i kemi ditët më të mira, kjo është normale. Mirëpo, edhe në ditë të këqija, mund t’i fitosh ndeshjet me momente individësh”, ka thënë fillimisht përfaqësuesi zviceran për uebfaqen zyrtare të klubit.

“Ne do të vazhdojmë të punojmë fort në stërvitje dhe është mjaft e rëndësishme që këtë punë ta shfaqim në lojë. Më pas, mendoj se kur e bëjmë këtë, kur e plasojmë atë në fushë, jam i sigurt se do të fitojmë shumë ndeshje”, vazhdoi ai.

“Ne duhet të jemi të fokusuar, ta kemi mentalitetin që të shkojmë për t’i fituar ndeshjet, të mundohemi ta marrim lidershipin në lojë dhe të prodhojmë performanca të mira. Kjo është gjëja më e rëndësishme për të gjithë futbollistët në fushë. Do të jetë e vështirë megjithatë”, shprehet Shaqiri.

Futbollisti shqiptar nga Zhegra e Gjilanit thotë se klubi nga “Anfield Road” nuk duhet t’i shikojë klubet tjera, por të mendojë vetëm për veten pasi është lider i Premierligës.

“Ne nuk duam t’i shikojmë klubet tjera, vetëm duhet të merremi me veten. Ne veprojmë kështu lojë pas loje, mundohemi t’i fitojmë ndeshjet, të jemi të suksesshëm”, thotë ish-futbollisti i Baselit, Bayern Munichut, Interit dhe Stoke Cityt.

“Ne punojmë fort çdo ditë dhe zbavitemi së bashku. Kjo është mjaft e rëndësishme në ushtrime, që ta shijojmë kohën që punojmë së bashku. Më pas, ne shkojmë në lojë për t’u munduar t’i fitojmë ato, duke tentuar të bëjmë performanca të mira”, nënvizoi Shaqiri.

“Është mjaft e rëndësishme të jemi së bashku si ekip. Kur duam të jemi të suksesshëm, çdo lojtar duhet të japë gjithçka për ekipin. Ne i fitojmë ndeshjet si ekip, i humbim ndeshjet si ekip, gjithçka bëmë së bashku. Është një grup mjaft i mirë, grup zbavitësh lojtarësh. Jam duke e shijuar çdo moment të ushtrimeve me ta, duke u munduar të përmirësohem personalisht dhe duke u munduar ta përmirësoj ekipin”, përfundoi Shaqiri. /Gazeta Express/