Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë kërkuar nga Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara që të vendosë sanksione të reja kundër Iranit për shkak të kryerjes së testeve të raketave balistike dhe lëshimit të dy satelitëve, duke thënë se këto veprime i shkelin rezolutat e OKB-së.

Në një letër dërguar sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres, ambasadori i SHBA-së në Kombet e Bashkuara, Jonathan Cohen, i ka dënuar veprimet e fundit të Iranit dhe ka kërkuar nga Tehrani që t’i ndërpresë menjëherë të gjithë hapat lidhur me raketat balistike që janë të projektuara për të bartur armë bërthamore.

Përmes kësaj deklarate, ambasadori Cohen e ka cituar një rezolutë të OKB-së të vitit 2015, e cila kërkon nga Irani që të heqë dorë për tetë vjet nga testimi i raketave balistike që mund të bartin armë bërthamore.

Sipas ambasadorit Cohen, Irani e ka testuar një raketë balistike me rreze të mesme veprimi më 1 dhjetor të vitit të kaluar, ndërsa ka bërë përpjekje të dërgojë satelitë në hapësirë më 15 janar dhe 5 shkurt të këtij viti.

Përndryshe, presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, vitin e kaluar e tërhoqi vendin e tij nga marrëveshja nukleare dhe i ktheu në fuqi sanksionet amerikane ndaj Iranit, shkruan “Free Europe”.