Shkarkohet Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, në Shqipëri Stefan Çipa. Shkarkimi është bërë dje me urdhër të ministres së Drejtësisë, Etilda Gjonaj.

Nuk dihen arsyet e shkarkimit, por mësohet se zyrtarë të lartë të Ministrisë së Drejtësisë janë arrestuar sot nga Policia: Drejtori i Shërbimeve Mbështetëse, Aurel Lamçe; ish-Sekretarja e Përgjithshme  Juliana Hoxha dhe dy specialistë të IT: Lysien Ali dhe Arlind Alikaj.

Arrestimi ka ardhur për shpërdorim detyre, abuzime me tenderat e zhvilluar nga kjo ministri në vitet 2016-2017 dhe ku janë vërejtur shkelje të mëdha. Ndër tenderat e kapur me shkelje janë dhe dy të lidhur me mbikëqyrjen elektronike dhe sistemin e kamerave në burgun e Lezhës dhe Fushë Krujës.

Stefan Çipa u emërua në këtë post më 3 shtator 2018, pas shkarkimit të Arben Çukos me argumentin: “Ky ndryshim bëhet për të përmirësuar punën e Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, veçanërisht në drejtim të rritjes së sigurisë së brendshme dhe kontrollit si dhe rritjes së efikasitetit të luftës kundër korrupsionit në sistemin e burgjeve”. Nga ana tjetër, paraardhësi i tij Çuko përfundoi në burg.

Loading...