Futbollistët kuqezi kanë përfunduar pushimin dimëror pasi sot u shënua starti i përgatitjeve dimërore që do të zhvillohen në tre faza.

Trajneri Qatip Osmani me ndihmësit e tij të sot kishin grumbullimin e parë, ndërsa menjëherë para futbollistëve u prezantua plan-programi i përgatitjeve.

Në takimin e parë kanë munguar Besart Ibraimi që pas operimit të ligamenteve zhvillon fazën e rikuperimit në Kroaci dhe Stenio Junior i cili ekipit do t’i bashkohet më 7 janar. Ndërkohë pasi humbi gjithë gjysmëstinorin vjeshtor shkaku i lëndimit, në grumbullim është paraqitur sulmuesi Marjan Radeski, ndërsa nga ekipi i moshave skuadrës së parë i është bashkuar Besart Rexhepi.

Duke nisur nga sot futbollistët bëjnë matjet e zakonshme, që më pas dy ditët me rradhë të ndarë në grupe do të kryejnë ekzaminimet mjekësore. Më 7 dhe 8 janar në program janë testimet e performancës fizike në terren, ndërsa pas ditës së lirë më 9 janar pason periudha kur ekipi do të punojë me ngarkesë të shtuar. Stafi teknik ka paraparë zhvillimin e tre ndeshjeve kontrolluese në Maqedoni, para startit të fazës së tretë që do të zhvillohet në Antalia të Turqisë prej 22 janar deri më 5 shkurt. Në tokën turke janë paraparë të luhen edhe katër ndeshje testuese me kundërshtarë cilësorë nga Zvicra, Rusia dhe Austria. Gjysmësezoni pranveror është caktuar të nis më 17 shkurt.