Konsulenca për Kulturë dhe Promovim pranë Ambasadës së Turqisë në Shkup, me rastin e 21 dhjetorit, Ditës së Arsimit në Gjuhën Turke në Maqedoni, ka promovuar vlerat kulturore dhe turistike të Turqisë, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një njoftim nga konsulenca, thuhet se me iniciativë të këshilltares për Kulturë dhe Promovim pranë ambasadës turke në Shkup, Çiğdem Güllü, gjatë koncertit që është mbajtur me rastin e 21 dhjetorit, Ditës së Arsimit në Gjuhën Turke në Maqedoni, në sallën Boris Trajkovski janë shpërndarë broshura ku promovohen vlerat kulturore dhe turistike të Turqisë.

Gjatë koncertit gjithashtu nëpër ekranet e mëdha të vendosura në sallë janë treguar video promovuese të Turqisë.

Güllü, në deklaratën e saj theksoi se të ardhurat nga turizmi të cilën turistët nga Maqedonia kanë lënë në Turqi në vitin 2018 kanë tejkaluar shifrën 100 milionë euro. “Vitin e ardhshëm synojmë që Turqinë ta vizitojnë 300 mijë turistë nga Maqedonia dhe të sigurojmë të ardhura nga turizmi prej 150 milionë euro”, u shpreh ajo.

Foto: AA