Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës – dega e Beneluksit, Edvik Abdullau, nuk kursen fjalët përkrahëse për kryetarin e partisë së tij dhe kryeministrin kosovar, Ramush Haradinaj. Në intervistën ekskluzive për Lajm.Tv, të zhvilluar në Bruksel, qytetin ku jeton dhe menaxhon biznes, ai ka komentuar presionin që po i bëhet qeverisë kosovare për heqjen e taksave ndaj produkteve serbe. Abdullau thotë se vendimi për taksat duhet të ndryshojë, por duke ia shtuar një zero mbrapa, me qëllim që taksat të rriten nga 100 në një mijë për qind. Me prejardhje është nga Tërnoci i Bujanocit dhe shpreh keqardhje që vendimi për taksën dëmton paksa edhe bashkëvendasit e tij nga Lugina e Preshevës. Megjithatë vlerëson se është sakrificë që ja vlen të bëhet, për t’i dhënë mësim Serbisë. Nga ana tjetër, presidentin kosovar Hashim Thaçi e quan tradhtar ordiner. Mendim të njëjtë ka edhe për Isa Mustafën e LDK-së.
“Unë jam për taksën 1.000 për qind. Е them haptazi, i kam shkruar edhe kryeministrit se serbosllavët, ose rusët nuk e kuptojnë gjuhën e lehtë. Më vjen keq për bashkëkombasit e mi nga Tërnoci i Madh, Presheva, Medvegja, por çdo herë dikush duhet të sakrifikojë”, thekson Abdullai.

“Ramush Haradinaj është i vetmi person për të cilin kam respekt me zemër. Ai është person që ka luftuar për lirinë dhe pavarësinë që e gëzojmë. Ka edhe Limaj merita, mirëpo sa i përket Thaçit e tjerëve, sipas meje ata janë vetëm kot. Ata janë tradhtarë ordinerë. Isa Mustafa gjithashtu”, thekson ish kampioni Abdullai, aktualisht kryetar i AAK-së në vendet e Beneluksit.