Pas incidentit të para disa ditëve në lagjen Shutkë të Shkupit, ku u rrahën dy policë shqiptarë (njëri ishte edhe në rrezik jete, por tani gjendja e tij është stabile), te shqiptarët e Maqedonisë është krijuar një revoltë e madhe, por edhe ndjenjë e pasigurisë. “Deri tani na rrihnin maqedonasit, tani po na rrehin edhe romët”, është komenti i cili dëgjohet gjithandej nëpër biseda mes shqiptarëve, por është prezent edhe në komentet e shumta nëpër rrjetet sociale.

Duke pasur parasysh se gjatë këtyre komenteve përdoren edhe ofendime të shumta, si dhe ekziston tendencë që të kanalizohet urrejtje e shqiptarëve ndaj romëve, Gazeta Lajm apelon për kujdes dhe përmbajtje.

E kuptojmë mllefin e krijuar, por është mllef i drejtuar në adresë të gabuar. Shqiptarët në Maqedoni nuk mund askush as t’i mbrojë, e as t’i rrahë, përveç atyre që vetë i kemi votuar. Është vështirë ta themi dhe ta pranojmë, por vetë jemi fajtorë, duke pasur parasysh se i votojmë tani një kohë të gjatë ata të cilëve nuk “ua ndin” fort nëse shqiptarët rrehen, arrestohen ose vriten. Të ishte hera e parë që na rrahin, në rregull. Mirëpo neve vazhdimisht na rrahin e na vrasin dhe prapë vazhdojmë të votojmë njësoj. Vijnë zgjedhjet e reja dhe ne sërish u besojmë fjalëve të tyre me tone të zbrazëta patriotike. Prandaj nuk duhet të habitemi kur na rrahin e arrestojnë, deri sa vetë nuk bëjmë ndryshime. Nuk na ka rrahur askush-as maqedoni, as romi. Na ka rrahur vota jonë.
Nëse vazhdojmë t’i votojmë të njëjtit, neve do të na rrahin edhe maqedonasit, edhe turqit, edhe serbët, edhe romët, edhe vllehët, edhe boshnjakët… Do të na rrahë kujt t’i teket dhe kutj të ja dojë qejfi, deri sa të kemi parti që pasi të kalojnë zgjedhjet, nuk don as të ndijë a ekzistojnë diku shqiptar, a jo.

Loading...