Nga qershori 2018, Shqipëria ka vazhduar të japë rezultate në procese kyçe sa i përket negociatave, siç është Vetingu, deklaroi sot në Tiranë, drejtori i Përgjithshëm për Politikat e Fqinjësisë dhe Negociatat e Zgjerimit, Christian Danielsson.

Gjatë një konference për shtyp, Danielsson veçoi procesin e Vetingut, i cili sipas tij, “vazhdon që të jetë një përpjekje e suksesshme në kuadër të reformës në drejtësi”.

Po ashtu, Danielsson theksoi se krijimi i autoriteteve të reja gjyqësore ka qenë një hap tjetër i rëndësishëm dhe kyç, që do të thotë një zinxhir hetimi për sa i përket luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

“Kam pasur mundësinë sot në mëngjes të takohem me anëtarët e Këshillit të Emërimit në Drejtësi, të gjyqësorit që sapo është krijuar. Ky institucion është shumë i rëndësishëm dhe ka mbështetjen e plotë tonën, pasi është një nga gurët e rëndësishëm kilometrik për reformën në drejtësi në Shqipëri”, tha Danielsson.

Ai ritheksoi mbështetjen e plotë për punën e këtij Këshilli, pavarësinë dhe paanshmërinë e tij, si dy elementë që duhen ruajtur në të gjitha fazat në të ardhmen.

Danielsson kërkoi që ky këshill të merret me përparësi me vendet vakante në Gjykatën Kushtetuese dhe në Gjykatën e Lartë.

“Ne kemi parë historikun e Shqipërisë në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Në lidhje me këtë element, operacionet e zbatimit të ligjit kanë vazhduar dhe ne po ashtu kemi parë edhe disa vendime kundër disa prej krerëve të bandave, por që natyrisht thelbësore është që kjo përpjekje të vazhdojë”, tha Danielsson.

Po ashtu, Danielsson u shpreh se përpjekje të tjera janë të rëndësishme lidhur me të drejtat themelore, si të drejtat e pakicave, të drejtat e pronësisë, si dhe për t’i vënë fre edhe aplikimeve të pabaza për azil. /ATSH/