Një tjetër problem që hasen burgjet tona, është mbipopullimi, i cili vjen nga një sërë shkaqesh të ndryshme. Më kryesorja, siç treguam në fillim të dokumentarit është ajo e shtimit të kategorive për veprat penale dhe mungesa e dënimeve alternative.

“Mendoj që Gjykatat, në periudhën e fundit referuar, aplikojnë masat alternative dhe mendoj që me këto ritme nuk mund të akuzojmë në tërsi sistemin për mos aplikim të masave alternative”, tha Ilir Qafa, Drejtor i Shërbimit të Provës.

“Mbi popullimi në burgje është një shqetësim që e ka çdo qeveri në Shqipëri për hirë të së vërtetës, dhe ndoshta çdo qeveri në vendet e rajonit”, tha Eduart Halimi, ish – Ministër i Drejtësisë. Shtimi i të burgosurve, përkthehet në të kosto për buxhetin e shtetit të shqiptar. Gjatë një korrespondence të Top Story me Drejtorinë e Burgjeve, ne mësuam se për të mbajtur një të burgosur, duhen rreth 486 euro në muaj. Kjo është një shifër tepër e lartë, e cila tejkalon pagën minimale të një qytetari shqiptar.

“Shumë familje në Shqipëri jetojnë më në varfëri se të burgosurit, që fundja kanë bërë një vepër penale, që kanë vrarë, kanë kërcënuar apo kanë vënë në rrezik jetën e qytetarëve”, tha Ermal Tehla, Ekspert Ekonomie.

“Është një shifër e konsiderueshme, që po të krahasosh me kostot që paguan një student, ose kostot e edukimit të një studenti, është shumë i ulët”, tha Isuf Shehu, Avokat. Nëse marrim statistikat zyrtare të të dënuarve për veprën penale “Shkelje e Rregullave të Qarkullimit Rrugor”, rezultojnë vetëm për muajin Maj 2018, 115 të burgosur. Kryesisht janë dënuar për drejtim automjeti në gjendje të dehur ose pa patentë. Kodi i Ri Penal parashikon për këtë vepër, nga 10 ditë deri në 3 vjet burg.

Loading...